U përkujtua ikona e gazetarisë Qani Mehmedi

Sot në praninë e një rrethi të ngushtë të familjarëve, miqve, kolegëve dhe kryetarit të komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari u bënë homazhe për Qani Mehmedin, në vendlindjen e tij, Drogomisht i vogël.

Kështu u përkujtua ikona e gazetarisë në 7 vjetorin e ndarjes nga jeta. Duke folur për të, Dehari e kujtoi atë si një personalitet të rrallë me ndikim shumëdimensional në jetën shoqërore e politike shqiptare!

Në emër të familjes folën djali Mentori, i cili evokoi kujtime nga veprat e babait Qaniut që u la shumë krenari! Vajza Besiana, profesoreshë në Universitetin e Tetovës u shpreh e lumtur që vendlindja e babait është pikëtakim i përjetshëm që i bën ta mbajnë gjallë kujtimin për të. Nga Myftinia e Kërçovës ishte i pranishëm sekretari Xhemail Ahmeti, i cili lutjet i bëri në gjuhën shqipe, pikërisht ashtu siç donte Qani Mehmedi i cili ishte idhtar i shkrirjes së dallimeve fetare përmes gjuhës e kombit!

Në këtë përkujtim mori pjesë edhe mbesa Uskana e cila mbante fanellën me fotografinë dedikuese për gjyshin e saj.

Qani Mehmedi punoi si redaktor në Radiotelevizionin e Prishtinës dhe pas luftës edhe në Radiotelevizionin e Kosovës.