Dy vetura digjen në lagjen “Marigona”, rrezikohet objekti hotelier

Dy vetura janë shkatërruar pasi janë përfshirë nga zjarri të premten në lagjen “Marigona Rezidencë” në Prishtinë. Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur të shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e flakëve në një objekt hotelier.

Sikur shihet në pamjet e EO-së, një veturë e tipit BMW dhe një “Golf” janë djegur tërësisht. Ndërsa Policia konfirmoi se edhe dy vetura të tjera janë dëmtuar.

Zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, përmes një përgjigjeje me shkrim për Ekonominë Online ka konfirmuar se në këtë rast dy vetura janë përfshira tërësisht nga zjarri, përderisa dy të tjera pjesërisht.

Ndërkaq, sipas, Borovcit, nuk raportohet për të lënduar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipi i zjarrfikësve dhe njësiti policor.