Problemi global i sigurisë kibernetike prek edhe Kosovën

Kompania globale Crowdstrike ka thënë se problemet kibernetike që janë shkaktuar të premten në gjithë botën, janë pasojë e një “defekti” gjatë përditësimit të një sistemit të saj.

Kjo kompani krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike.

Crowdstrike ka thënë se është duke punuar vazhdimisht me konsumatorët.

“Sistemet Mac dhe Linux nuk janë prekur. Ky nuk është incident i sigurisë apo sulm kibernetik. Problemi është identifikuar, izoluar dhe po punohet në të”, ka thënë kompania përmes një deklarate.

Shumë kompani të mëdha ajrore në Shtetet e Bashkuara, i kanë anuluar fluturimet, duke cituar probleme me komunikim, derisa kompani tjera mediale, banka dhe spitale në shumë vende të botës, kanë raportuar që kanë probleme me sistemet kompjuterike dhe që po u pamundësohet puna.

Në Kosovë, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike e Kosovës (KESCO), ka bërë të ditur se qysh prej mëngjesit është duke hasur në vështirësi në kryerjen e punëve për shkak të rënies së sistemit kompjuterik.

Ajo e ka përmendur që problemet e saj lidhen me problemin që e kanë raportuar shumë kompani në botë, të lidhur me Crowdstrike.

Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike – organ shtetëror për ruajtjen e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Kosovë – ka thënë incidenti shkakton probleme gjatë ristartimit të sistemit operativ Microsoft Windows.

“Në rast të këtij problemi, sipas udhëzimeve teknike të proklamuara deri më tani, është e nevojshme që të fshihen fajllat 'C-00000291*.sys' nga direktoriumi 'C\Windows\System32\drivers\CrowdStrike' në Save Mode”, ka thënë ky organ përmes një postimi në Facebook. /REL