Federata e Gjibraltarit ankohet në UEFA pas thirrjeve nacionaliste të Rodrit dhe Moratas në festimet pas “Euro 2024”

Federata e Futbollit të Gjibraltarit ka paraqitur një ankesë zyrtare në UEFA, pasi lojtarët e Spanjës brohoritën “Gjibraltari është Spanjë” gjatë festimeve të tyre pas triumfit në kampionatin evropian “Gjermani 2024”.

Incidenti ndodhi në Madrid pas fitores 2-1 të Spanjës ndaj Anglisë në finalen e “Euro 2024”, ku përfshiheshin lojtarët “veteranë” si kapiteni Alvaro Morata dhe mesfushori i Manchester City, Rodri.

Gjibraltari është një territor britanik jashtë shtetit, por kur Morata i kujtoi Rodrit se ai luante për një klub anglez, lojtari më i mirë i turneut tha: “Nuk më intereson”.

Kështu, Federata e Futbollit të Gjibraltarit u shpreh se video e thirrjeve u prit me “zemërim, shqetësim dhe zhgënjim”.

“Sjellja në fjalë është thellësisht fyese për gjibraltarët, të cilët kanë ushtruar në mënyrë të përsëritur të drejtat e tyre demokratike për të mbetur një Territor Britanik i Jashtëm”.

“Ndërsa Gjibraltari ka një kufi me Spanjën dhe vlerëson marrëdhëniet e tij të ngushta bashkëpunuese me Spanjën dhe popullin spanjoll, ai është dhe mbetet një Territor Britanik i Jashtëm”.

“Sjellja është gjithashtu thellësisht fyese për Federatën e Futbollit të Gjibraltarit pasi nënkupton që ne nuk duhet të ekzistojmë si një federatë e pavarur kombëtare anëtare e UEFA-s”.

Ata i përshkruan thirrjet si “jashtëzakonisht provokuese dhe fyese”, duke etiketuar veprimet e lojtarëve si “të paligjshme” dhe një shkelje të rregulloreve disiplinore të UEFA-s. /Telegrafi