IKD: Me ligjin e ri pavarësia e KPM-së tjetërsohet, cenohen vlerat dhe parimet e demokracisë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Politizimi i KPM-së”, analizë e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, të cilin Kuvendi i Kosovës e miratoi më 11 korrik 2024.
Nga analizimi i këtij Ligji, IKD-ja ka gjetur se pavarësia e garantuar me Kushtetutë për një institucion të pavarur si KPM-ja tjetërsohet në varësi të këtij institucioni ndaj partisë në pushtet.
Florian Smajli, hulumtues në IKD, ka thënë se kjo qasje është e rrezikshme dhe cenon drejtpërdrejt vlerat dhe parimet e demokracisë të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, mënyra e veprimit lidhur me miratimin e Ligjit për KPM-në tregon se miratimi i tij ishte qartazi vullnet i vetëm i pozitës, pasi me këtë Ligj nuk u pajtuan opozita, partnerët ndërkombëtarë, mediat dhe shoqëria civile, dhe duke mos respektuar obligimet lidhur me zbatimin e standardeve minimale të konsultimit publik lidhur me këtë projektligj kaq të rëndësishëm për demokracinë dhe lirinë e mediave në Kosovë.
Smajli tha se Ligjit për KPM-në i paraprin një sulm i papranueshëm i Kuvendit ndaj KPM-së, përfshirë kampanjën e paparë ndonjëherë që nga shpallja e pavarësisë, ku eksponentët e partisë në pushtet fillojnë fushatë të orkestruar ndaj kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së, duke i akuzuar edhe për tradhti kombëtare dhe gjuhë tjetër të papërshtatshme ndaj një mekanizmi të pavarur kushtetues.
“Pavarësia e këtyre institucioneve në përgjithësi dhe i KPM-së në veçanti ka interes jetik për parimet dhe vlerat që promovojnë demokracinë, lirinë e fjalës dhe medias në një shoqëri demokratike çfarë aspiron Republika e Kosovës edhe përmes obligimeve ndërkombëtare që ka marrë përsipër përmes marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkim Evropian. Gëzimi i pavarësisë së vërtetë ligjore dhe praktike është një parakusht që këto autoritete të jenë në gjendje të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë efektive, transparente dhe të përgjegjshme”, ka thënë ai.
Ai shtoi se ky raporti ka theksuar nevojën e harmonizimit të Ligjit për KPM me Direktivën për Shërbimet Mediale Audio-Vizuele. Për të cilën sipas tij, Projektligji fillestar për KPM-në, i miratuar në Qeveri theksonte se ligj është në përputhshmëri të plotë me Direktivën.
“Ky nen u ndryshua gjatë trajtimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ashtu që u theksua se Projektligji për KPK është vetëm pjesërisht në përputhje me këtë direktivë. Megjithatë, nevoja për miratimin e Ligjit të ri për KPM-në nuk nënkupton mundësinë e Kuvendit për të minuar pavarësinë kushtetuese të KPM-së”, shtoi Smalji duke theksuar se ligji nuk duhet të degradojë punën e këtij institucioni të pavarur.
E hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, ka thënë se dispozitat që kanë të bëjnë me procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së mundësojnë partinë në pushtet që lehtësisht ta politizojë atë.
Ai tha se ky ligji thotë se konkursi shpallet nga KPM-ja, derisa kandidaturat e pranuara për kryetar dhe ata për anëtarë shqyrtohen nga Komisioni përkatës për media i Kuvendit të Kosovës, i cili Komision pas zhvillimit të intervistave, i rekomandon Kuvendit votimin e dy kandidatëve për çdo pozitë të lirë. Ndërsa, Kuvendi zgjedh njërin nga kandidatët e rekomanduar me shumicë të thjeshtë të votave.
Në këtë situatë ai tha se Projektligji e ka lehtësuar politizimin e KPM-së përmes përzgjedhjes së anëtarëve të saj.
“Secila Qeveri e ka të paktën shumicën absolute në Kuvend, pa të cilën nuk mund të qëndrojë. Ndërsa, për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë e votave. Potencialisht, një anëtar i KPM-së mund të zgjidhet më 31 vota. Për këtë arsye, Projektligji për KPM në mënyrë të hapur lë mundësinë e politizimit të këtij institucioni për secilën Qeveri”, u shpreh Shala.
Shala tha se Ligji për KPM-në nuk ka përcaktuar asnjë standard adekuat sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së. Ai mori shembull përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku ligji përcakton themelimin e një komisioni të posaçëm me përfaqësues ndërinstitucional, i cili komisioni i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar.
Ndërsa, në rastin e anëtarëve të KPM-së, Ligji për KPM përcakton se e gjithë kjo procedurë zhvillohet nga një Komision Parlamentar, i përbërë vetëm nga përfaqësues politikë.
“Kështu, Qeveria, e cila ka shumicën në Kuvend, e ka në dorë si procedurën ashtu edhe votimin e anëtarëve të KPM-së. Kjo situatë qartazi e vendos KPM-në në mungesë të pavarësisë objektive për funksionimin e saj”, shtoi Shala.
Në anën tjetër, ai tha se shkarkimi i anëtareve të KPM-së e zhveshin KPM-në nga çdo pavarësi e funksionimit, duke e vendosur atë nën presion të vazhdueshëm ndaj Kuvendit.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten, me përkrahje e Rockefeller Brothers Fund, publikoi raportin “Politizimi i KPM-së” (Analizë e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave).