Deputeti i VV-së: Faton Hajrizi është kriminel, Kosova i ka lajmëruar shtetet fqinje për ikjen e tij
Arbër Rexhaj, deputet i VV-së, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e një polici serb në Serbi, është kriminel që ka ikur nga burgu.
Rexhaj u shpreh se rasti i Hajrizit është rast i izoluar dhe se nuk mund të përdoret për qëllime politike.
“Ai është një rast i izoluar, është një person i vetëm. Është një kriminel që ka ikë prej burgu, ka kërcënu zyrtar të institucioneve. Nëse krahasohet me Banjksën, ka qenë sulm i organizuar, i argumentuar e analizuar nga agjencitë tona të inteligjencës”, tha ai në RTV Dukagjini.
Rexhaj tha se institucionet e Kosovës i kanë lajmëruar disa shtete fqinje për ikjen e Faton Hajrizit dhe rrezikut potencial nga ai.
“Institucionet e Kosovës, me informacionet që i kam. Kur ka ikë ky prej burgu, i ka lajmëru shtetet fqinje se mund të ju vij nga dera. E kemi kry obligimin tonë, ne nuk jemi në Interpol, kemi dështu me u anëtarësu, rasti është i qartë”, u shpreh ai.