Presidenti bullgar në takim me Osmanin, kërkon “afirmim të statusit për komunitetin bullgar” në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Mbretërinë e Bashkuar ne presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Radev foli për përshpejtimin e integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, por edhe për të drejtat e komunitetit bullgar.
“Përshpejtimi i procesit të integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, komuniteti europian dhe euroatlantik do të jetë një shenjë pozitive për të gjithë rajonin”, ka thënë Radev, siç citohet nga sekretariati i tij për media.
Radev dhe Osmani u takuan para fillimit të Samitit të 4-të të Komunitetit Politik Europian në Pallatin Blenheim në Oxfordshire.
Dy palët theksuan dialogun e shkëlqyer politik si faktor për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Kosovës, shkruan agjencia bullgare e lajmeve, BTA.
Kreu i shtetit bullgar vlerësoi lart rezultatet e vizitës së tij zyrtare në Kosovë në dhjetor të vitit 2023, ku u diskutua për një gamë të gjerë temash nga agjenda e bashkëpunimit dypalësh në ekonomi, investime, arsim dhe siguri, si dhe takimet e tij me përfaqësues të komunitetit bullgar në vend, sipas agjencisë.
Radev shprehu vlerësimin e tij për qasjen e Kosovës ndaj komuniteteve në përputhje me standardet demokratike europiane. Qëndrimi i përbashkët i të dyja palëve ishte se garantimi i së drejtës për vetëvendosje është ndër themelet e demokracisë. Presidenti bullgar shprehu shpresën se procesi i afirmimit të statusit dhe mundësive për realizimin e plotë të të drejtave të komunitetit bullgar në Kosovë do të vazhdojë si një faktor real për forcimin e mëvonshëm të lidhjeve mes dy vendeve, shkruan mediumi.