Vrasja e policit serb, analistja Ivana Stradner: Perëndimi s’po di t’i lidhë pikat

Këshilltarja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, analistja dhe njohësja e zhvillimeve në Ballkan, Ivana Stradner, ka komentuar zhvillimet pas ngjarjes së mbrëmshme në Loznicë të Serbisë, ku raportohet të jetë vrarë një polic dhe një tjetër të jetë plagosur.

I dyshuari i parë për këtë rast ishte shtetasi i Kosovës, Artan Hajrizi, pasi që në vend të ngjarjes, ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se është gjetur pasaporta e tij.

Megjithatë, më vonë u bë e ditur se Artani në fakt gjendet në Gjermani dhe se i dyshuari kryesor për këtë rast ishte Faton Hajrizi, vëllai i tij, i cili rreth dy javë më parë ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës.

Daçiq, këtë ngjarje e quajti “sulm terrorist” dhe “akt që vjen nga strukturat shqiptare nga Kosova”.

Mirëpo, analistja Stradner po kërkon nga Perëndimi që të mos bien në propagandën e Serbisë.

Në një postim në platformën X, ajo ka thënë se Rusia dhe Serbia ka kohë që kanë qenë duke i krijuar kushtet informative për “grupet wahabi” në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Ministri i brendshëm i Serbisë sapo njoftoi për një tjetër ‘sulm terrorist’ të ndodhur në Serbi. Gjithashtu, Rusia dhe Serbia ka javë që po i krijojnë kushtet informative për ‘grupet wahabi’ në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”.

“Shumë në Perëndim nuk dinë t’i lidhin pikat…”, shkroi ajo.

Më herët gjatë ditës, Stradner bëri edhe një postim për “propagandën serbe” që thotë se “Kosova dhe Bosnje e Hercegovina po përgatiten për një luftë kundër Serbisë”.

“Në të vërtetë, është qeveria e Serbia ajo që po përgatitet për një eskalim të ri në Ballkan dhe këtë vit inteligjenca e ShBA-së paralajmëroi për eskalime të reja në rajon”, deklaroi Stradner.

Artan Hajrizi deklaroi në Kosova Today në Klan Kosova se Fatoni ia kishte vjedhur dokumentet e tij personale.

Mirëpo, burime thonë se në fakt, ka qenë Artani ai që me postë ia ka dërguar Fatonit pasaportën e vet.

Mediat në Bosnje e Hercegovinë kanë raportuar se është arrestuar një person në lidhje me rastin e vrasjes së policit në Loznicë në Serbi. Identiteti i të arrestuarit nuk është bërë i ditur. /klankosova