Konjufca pret në takim lamtumirës Szunyogun
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Përmes një njoftimi për medie, bëhet e situr se në këtë takim u diskutua për punën e përbashkët, sfidat dhe arritjet gjatë kësaj periudhe mjaft dinamike, për angazhimin në drejtim të zgjerimit dhe aspiratës së integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, që mbetet një prioritet i padiskutueshëm për popullin dhe shtetin tonë.
“Kryeparlamentari Konjufca veçoi arritjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë periudhës që Tomas Szunyog drejtoi Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe u shpreh i bindur se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tutje për të përsëritur sa më shumë suksese dhe të arritura në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Tutje, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke uruar që të vijojë puna në drejtim të aspiratës së Republikës së Kosovës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe duke tejkaluar me angazhim sfidat që dalin përpara.