Autoritetet e Serbisë në kërkim të shtetasit të Kosovës për vrasjen e policit, Kurti thirrje për mospolitizim

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se një zyrtar policor është vrarë në Lloznicë - qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnjë e Hercegovinën - në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit - i lindur në vitin 1991 dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, Ministria e Brendshme gjermane nuk e ka komentuar këtë rast.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së policit të vrarë, të cilin e ka përshkruar si hero.

“Jam jashtëzakonisht i tronditur me lajmin për vdekjen e zyrtarit policor, Nikolla Kërsmanoviq, i cili është vrarë në një sulm tinëzar, derisa ka qenë duke kryer detyrën e tij të vështirë”, ka thënë Vuçiqi përmes një komunikate të lëshuar nga Presidenca serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.

Ai ka bërë thirrje të mos politizohet ky rast.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.

Çfarë tha Ministria e Brendshme serbe?

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiqi ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.

Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës dhe Kërsmanoviqi ka vdekur prej plagëve të marra.

Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë. /Rel