Dasma e Skënderbeut në Vaun e Dejës, rikthehet historia në Kishën e Shën Mërisë
Në kishën e Shën Mërisë, në Denjë të Vaut Dejës, është rikthyer për herë të parë me personazhe të gjallë dasma e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Për personazhet kjo ditë është e rëndësishme dhe mban një mesazh të veçantë: “Roli që na kanë ofruar ka qenë diçka shumë e bukur. Përjetimi i dasmës së Skënderbeut është shumë e rëndësishme”.
Kjo iniciativë mori jetë disa muaj më parë në Austri, falë angazhimit edhe të komunitetit shqiptar atje.
Dom Nik Ukgjini vlerësoi rikthimin e kësaj ngjarje e cila mbart vlera të rëndësishme për kombin shqiptar.
Kryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, deklaroi se ky event synon të rikthejë edhe promovimin e resurseve që ka kjo zonë.
Kisha e Shën Mërisë është ndërtuar në këmbë të malit të Dejës, ku ndodhen rrënojat e qytezës dhe fortesës mesjetare të Danjës. Për herë të parë kisha përmendet si qendër peshkopale në vitin 361. Në këtë kishë thuhet se ka vënë kurorë Skënderbeu dhe në afërsi të saj ekziston varri i Lekë Zaharisë.
Kisha Lindja e Zojës është një ndër kishat më të vjetra në Shqipëri që u ka rezistuar shkatërrimeve ndër shekuj, derisa regjimi komunist e shembi plotësisht në vitin 1969.