Sulmi me armë ndaj dy policëve në Serbi, Daçiqi pretendon se në vendngjarje u gjet pasaporta e një kosovari

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se një polic është vrarë mbrëmë në qytetin Loznica të Serbisë, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë, raporton Nova.

Ai shtoi se forca të rënda policore janë vënë intensivisht në kërkim të autorit dhe se në vendin e ngjarjes policia gjeti pasaportën e të dyshuarit, të lëshuar nga institucionet e Kosovës në emër të Artan Hajzirit (1991).

“Sonte rreth orës 00:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në pikën e kontrollit në Lipniqki Shor, policët e stacionit kufitar të Tërbushnicës kanë ndaluar një Mercedes me targa të Tutinës, në të cilin ndodheshin dy persona”.

“Kur ka dalë nga automjeti, një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur policin Nikolla Kërsmanoviq (1990) në gjoks dhe policin Vjekoslav Iliq (1974) në shpatull dhe pastaj ka ikur”, deklaroi Daçiqi, transmeton Klan Kosova.

Më tej bëhet e ditur se të dy policët u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Loznicës, ku Kërsmanoviqi iu nënshtrua plagëve të marra.