Deputeti shqiptar në Gjermani për takimin Scholz - Vuçiq: Uria për litium, arsyeja e kësaj vizite
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Bavarisë së Epërme, Deli Balidemaj, ka folur për vizitën që kancelari gjerman, Olaf Scholz, pritet ta ketë të premten në Serbi, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Balidemaj tha se sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, gjatë vizitës së Scholzit në Beograd do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi mes Serbisë dhe Komisionit Evropian për një partneritet strategjik mbi lëndët e para të qëndrueshme, përkatësisht mbi bateritë për automjete elektrike.
“Gjithmonë sipas këtyre burimeve qeveritare, përveç kancelarit Scholz, në takim do të marrin pjesë edhe shefat e ndërmarrjeve më të mëdha gjermane, një nga shefave të Mercedesit”.
“Një prej qëllimeve të kësaj vizite do të jetë edhe nënshkrimi i marrëveshjes mes kompanive evropiane dhe kompanive serbe që të shfrytëzohen lëndët e para të litiumit për prodhimin e baterive elektrike të cilat janë shumë të nevojshme për prodhimin e automjeteve në Evropë”, tha Balidemaj në Klan Kosova.
Më tej, ai bëri të ditur se gazetat gjermane kanë filluar të shkruajnë për takimin Scholz – Vuçiq, ku sipas tij, një nga titujt ishte se “fillimisht vjen biznesi e më pas morali”.
“Kjo do të thotë se është uria e industrisë së automjeteve gjermane për litium që e ka shtyrë kancelarin Scholz që ta bëjë një vizitë të tillë, që të mundësojë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje për importin e litiumit drejt Brukselit e Berlinit, duke shpresuar për prodhimin e makinave elektrike”, tha ai.