Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Qehaja: S’ka rrezik për dorëzimin e Blerim Ramadanit në Serbi

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka deklaruar se për momentin shtetasi kosovar Blerim Ramadani është në ndalim në Maqedoninë e Veriut me flet-arrest nga ana e Serbisë për krime të pretenduara të kryera gjatë luftës në vitin 1999.

Ai gjithashtu ka siguruar se ka një rast të fortë që Ramadani nuk do të dorëzohet Serbisë.

“Jemi duke u marrë me rastin, e kemi rastin shumë të fortë që kjo nuk do të ndodhë. Jemi në komunikim me qeverinë e re këtu por edhe me organet e drejtësisë,” u shpreh Qehaja për RTV Dukagjini.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se në Maqedoninë e Veriut është arrestuar një shtetas kosovar, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

“Fjala është për zotin Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha MPJD-ja.

Arrestimi u krye në pikëkalimin kufitar Jazincë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

MPJD tha se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke u angazhuar në këtë rast dhe autoritetet po punojnë për të siguruar lirimin e shpejt të Blerim Ramadanit.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.