Gjuriqi takohet me Borrellin, i ankohet për “gjendjen e rëndë” të serbëve në Kosovë
Ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriq, është takuar sot në Bruksel me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell.
Temë e diskutimit mes tyre ka qenë përafrimi i Serbisë me Bashkimin Evropian dhe pozita e serbëve në Kosovë, transmeton Klankosova.tv. Kryediplomati serb shtoi se me Borrellin kanë diskutuar edhe për pozitën e serbëve në Kosovë.
“Pozicioni i tyre është i tmerrshëm. Unë theksova faktin se diskriminimi sistematik ndaj serbëve në krahinën tonë jugore po vazhdon. Dje në Kosovë janë emëruar njëqind përmbarues të rinj publikë dhe asnjë prej tyre nuk është i nacionalitetit serb, edhe pse një numër i madh i të kualifikuarve dhe profesionistëve aplikuan nga radhët e popullit serb. Këtë e deklarova dhe po e përmend tani si shembull, sepse kemi diskutuar shumë aspekte specifike të shkeljes së të drejtave kolektive politike dhe njerëzore të serbëve në Kosovë , tha kryediplomati serb, raporton “KosovoOnline”.