LDK-ja njofton me punët e Drejtorisë së Arsimit në kryeqytet

Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me Lumir Abdixhikun, përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook ka treguar për renovimet që po i kryen Drejtoria e Arsimit nëpër shkolla në komunën e Prishtinës.

Në video thuhet se objekti i gjimnazeve matematikore që është i paraqitur në video po rinovohet dhe modernizohet në tërësi.

Tutje thuhet se shkollat do të kenë hapësira për relaksim dhe kuzhina shkollore.

“Po gëlqerosim klasat dhe freskojmë me ngjyra; të gjitha do të pajisen me banka dhe karrige të reja për 1300 nxënës; secila klasë do të ketë tabelë digjitale; do të riorganizojmë korridoret me qëllim që të krijojmë hapësira relaksuese për nxënës; do t’i bashkëngjisim një kuzhinë shkollore modulare dhe oborrin e shkollës do ta gjelbërojmë e pajisim me ulëse’’, thuhet në videon e publikuar nga ai.

Të gjitha këto sipas tyre do të realizohen deri më 25 gusht, me qëllim që nxënësit të fillojnë vitin shkollor mbarë.