Favoritët aktualë për ta fituar “Topin e Artë”
Pak ditë më parë u mbyllën dy garat e rëndësishme të futbollit, Kampionati Evropian dhe “Copa America” dhe tash është koha për t’i bërë llogaritë.
Pas disa muajsh do të përcaktohet se kush do të jetë fitues i çmimit më prestigjioz individual – “Topi i Artë”.
Dhe, është koha për t’i bërë llogaritë.
Kompanitë e basteve kanë nisur të vendosin përqindje rreth mundësive për ta fituar këtë trofe, ndërsa për momentin favorit absolut është Vinicius Junior, përkundër dëshpërimit në Copa America me Brazilin e tij.
Sulmuesi anësor e pati një sezon fantastik me Real Madridin, me të cilin e fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligan dhe për këtë shihet si fitues potencial i Topit të Artë.
Pas paraqitjeve fenomenale në Euro 2024, Rodri ka kaluar në pozitën e dytë të favoritëve, ndërsa e pati një sezon fantastik me Manchester Cityn, me të cilin e fitoi titullin e kampionit.
Ai e kaloi Jude Bellinghamin, i cili është i treti falë paraqitjeve mbresëlënëse me Real Madridin, ndërsa me Anglinë shkoi deri në finale të Europianit.
Fituesi i Ligës së Kampionëve dhe i Euro 2024, Dani Carvajal, me paraqitje bravuroze në këtë vit, renditet i katërti, ndërsa Top 5 mbyllet nga Lamine Yamal, i cili e bëri një Europian fantastik me “Stuhinë e Kuqe”.
Prapa super-talentit spanjoll gjendet Lionel Messi, i cili së fundmi e fitoi Copa American me Argjentinën.