Musliu: Grupi i Radoiçiqit planifikon sulme në Kosovë, gjendja e sigurisë në veri e qëndrueshme
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu, pas raportimit të kryeshefit të AKI-së Petrit Ajeti ka deklaruar se grupi paramilitar i terroristit i Milan Radoiçiqit është duke vazhduar ushtrime në disa lokacione të ndryshme dhe se vazhdimisht janë duke planifikuar mundësi për sulme në Kosovë.
Ajo këto deklarata i bëri në një konferencë për media pas raportimit të Ajetit në Komision, ku shtoi se gjendja e sigurisë në veri është e qëndrueshme, ndërsa ajo e përgjithshme “stabile”.
“Grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe Kralevës. Grupi paramilitar dhe terrorist I udhëhequr nga Milan Radoiçiqit vazhdon të jetë I strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, ka armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar. Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme”, ka thënë ajo.
Musliu theksoi se kërcënimet nga Serbia për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë dhe në forma të ndryshme qoftë ato shtetërore apo jo shtetërore.
“Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës. Shërbimet sekrete të Serbisë vijon të kenë si synim cenimin e sigurisë së Kosovës përmes mekanizmave shtetërorë dhe joshtetërorë. Janë rritur aktivitetet hibride, që kanë për qëllim polarizimin e shoqërisë, përhapjen e lajmeve të rreme dhe inskenim të incidenteve. Gjendja e përgjithshme e sigurisë së Kosovës është stabile. Situata në katër komunat veriore është e qëndrueshme. Edhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizatat e ndryshme paramilitare dhe terroriste, ku anëtaret e të cilave po strehohen dhe po trajnohen në Serbi, vlerësohet shumë i lartë”.
“Radoiçiqi vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë dhe me udhëheqësit e shtetit dhe vazhdon duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale. Ushtria serbe ka rritur praninë e patrullave dhe dronave e saj në kufirin me Kosovën, sidomos nga Zubin Potoku në Leposaviq”, tha ajo. /EO