BE-ja s’ka vendim për heqjen e masave ndaj Kosovës

Po bëhet pothuajse një muaj prejse përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje. Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha se diskutimet për heqjen apo jo të këtyre masave janë duke vazhduar.

“Raporti i përfaqësuesit të lartë për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së, i shprehur në Deklaratën e 3 qershorit 2023 (Deklarata e përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së) iu dërgua shteteve anëtare dhe diskutimi i parë u zhvillua në qershor. Këshilli e kishte ftuar përfaqësuesin e lartë që të përgatiste një raport të tillë në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023. Raporti është një dokument konfidencial dhe nuk do të bëhet publik. Përfaqësuesi i Lartë rekomandon heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”, tha Stano për RTV21.

Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre. Të paktën 90 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s u lënduan në një përplasje me protestues serbë.

Qeveria e Kosovës ndërkohë vlerësoi se BE-ja ka i të gjitha arsyet për të larguar masat e vëna ndaj Kosovës. Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për deeskalim të situatës në veri të vendit, kthimit të normalitetit dhe integrimit të serbëve atje.

“Ne e kemi mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të largoj masat e padrejta ndaj Kosovës. Me 22 prill, me rastin e përfundimit procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi në Brastislavë me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Sipas çdo parametri, deeskalimi në katër komunat në veri të vendit tashmë ka ndodhur. Një pjesë e madhe e drejtorive në këto komuna drejtohen nga profesionistë të komunitetit serb. Procesi i konvertimi i targave në RKS është përmbyllur me sukses. Si dëshmi e radhës e normalitetit dhe integrimit. Bashkimi Evropian ka i të gjitha arsyet për të larguar masat e vëna.Ne urojmë që gatishmëria e tyre të kthehet së shpejti në veprim për të larguar këto masa”, tha Kryeziu.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën.

Oda Ekonomike e Kosovës tha se si pasojë e masave të BE-së Kosova u dëmtua mbi 300 milionë euro dhe se çdo vonesë për heqjen e tyre do ta thellojë dëmin.

“E para është dëmtuar imazhi i Kosovës, investitorët e huaj knë hezituar të investojnë në një vend që ka masa. E dyta në aspektin material projektet mbi 300 milionë që s’ka pasu rmudnësi të zbatohen”, tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Në institutin “Riinvest” ndërkaq nuk presin që masat të hiqen shpejt, duke marrë parasysh zgjedhjen e strukturave të reja në BE.

Disa nga vendet anëtarë të BE-së kërkuan heqjen e masave, por një pjesë e tyre thanë se duan të shohin më shumë përparim dhe masat duhet të hiqen gradualisht.