Gërvalla pret raporte të mira me SHBA-në me cilindo president që zgjidhet, thotë se Asociacioni s’do të zbatohet
Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur mbi aktualitetin politik në Kosovë, rajon e madje edhe më gjerë. Atentatin e fundit ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, e ka komentuar dhe ka thënë se “kohëve të fundit janë shpeshtuar sulmet ndaj politikanëve”.
“Sulmi ndaj kandidatit për president të Amerikës është sulm i tmerrshëm i cili flet shumë për gjendjen në të cilën ndodhen disa njerëz të çmendur, të cilët nuk dinë se çfarë bëjnë”, u shpreh Gërvalla në ATV, duke shtuar se “një atentat politik nuk duhet asnjëherë të jetë i motivuar pozitivisht”.
Diplomatja Gërvalla ka folur edhe mbi sulmin ndaj Kosovës që u bë nga një grup terroristësh serb, më konkretisht në Banjskë.
“Sidomos pas sulmit të fundit në Banjskë, edhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi edhe si vend por edhe si individë e përfaqësues të votës së qytetarëve. E dimë që në aspektin e sigurisë nevojitet kujdes i shtuar, prandaj, në rajonin tonë, por sidomos në Kosovë, duhet të jemi të kujdesshëm sa i përket aleatit më të madh të Rusisë dhe Kinës në rajonin tonë, dhe prandaj duhet të jemi edhe më të kujdesshëm se që kemi qenë të kaluarën”, u shpreh Gërvalla.
Ministrja Gërvalla ka folur edhe për raportet Kosovë - SHBA.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës janë të palëkundura dhe do të mbeten të palëkundura për shumë arsye. Amerika e di shumë mirë se cili është partneri më i fuqishëm, partneri i cili më së shumti beson në Amerikën, në vlerat amerikane e në demokracinë amerikane. Nuk duhet t’i japim shumë të drejtë vetës për të folur se kë ata duan të votojnë për president sepse është eksluzivisht çështje e tyre, nëse amerikanët vendosin që Trumpi është presidenti i tyre, atëherë ata e kanë marrë këtë vendim, dhe ne duhet të vazhdojmë t’i ndërtojmë marrëdhëniet tona me Amerikën”, u shpreh Gërvalla.
“Nuk kam asnjë dyshim që kushdo që hyn në Shtëpinë e Bardhë, qoftë Joe Biden edhe një mandat, qoftë Donald Trump, Kosova do ta mbajë partneritetin e fuqishëm”, tha tutje.
Korrigjimi i kufijve
Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është pyetur nëse ka rrezik që me kthimin e mundshëm të Administratës Trump, të rikthehet ideja për korigjim kufijsh.
“Nuk mendoj…nuk do të doja të përjashtoja një gjë të tillë, por gjithçka varet edhe na ne. Sepse asnjë lëvizje nuk mund të bëhet në Kosovë dhe për Kosovën nëse të zgjedhurit e ligjshëm të këtij vendi nuk japin miratimin e tyre”, tha Gërvalla, derisa tha se gjithçka që ka ndodhur në Kosovë më herët, gjatë administratës Trump, janë bërë me pëlqimin e kryeministrit të Kosovës, atë kohë Avdullah Hoti.
“Ajo ka qenë një qeveri e zgjedhur antikushtetuese, prandaj edhe është tërhequr qeveria”, tha Gërvalla.
Zgjedhjet në Kosovë
Diplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka folur edhe për zgjedhjet. Ka kritikuar opozitën se vetëm ka dhënë deklarata për zgjedhjet por asnjëherë s’ka qenë e gatshme për to.
“Natyrisht që tani edhe ne përgatitemi për zgjedhje sepse kryeministri ka thënë se është çështje muajsh jo çështje viti. Unë mendoj që zgjedhjet e rregullta do të bëhen në muajin shkurt. Të fundit kanë qenë më 14 shkrut 2021. Ky ishte mandat i plotë i qeverisjes. Ky do të jetë lajm shumë i mirë për qytetarët, sepse dëshmon një stabilitet të theksuar politik që nuk e kemi as në rajon”, tha Gërvalla.
Amnistimi i Serbisë?
Ministrja Donika Gërvalla ka folur edhe për kërcënimet nga Serbia.
“E kemi përsëritur që me Aleksandër Vuçiqin, një ish-ministër i Millosheviqit, i cili sot qeverinë e ka mbushur me ministra të Millosheviqit e me njerëz të sanksionuar nga SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar… Vuçiqi nuk e kupton këtë gjuhë… nuk e shohim gatishmërinë e Evropës …”, u shpreh ajo.
Asociacioni
Në asnjë mënyrë nuk do të zbatohet Asociacioni, tha ministrja Donika Gërvalla.
“Asociacioni është në kuadër të një marrëveshjeje bilaterale me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. Ai draft për të cilin po flasim, që po quhet drafti i Lajçakut, nuk mund të zbatohet në mënyrë të njëanshme, as me Gjykatë Kushtetuese e as pa Gjykatë Kushtetuese, sepse ai draft mund të merret në konsideratë vetëm në kuadër të pakos në të cilën na është sjellë, dhe në pako ka qenë njohja de facto e Kosovës nga Serbia. Po ta nxjerrësh këtë draft nga pakoja ekzistuese e Brukselit dhe e Ohrit, atëherë ai draft e humbet kuptimin”, u shpreh Gërvalla.