Trumpi mirëpritet si hero në Konventën Republikane dy ditë pas atentatit

Dy ditë pas atentatit ndaj tij, Donald Trump u shfaq me një fashë në njërin vesh dhe u mirëprit me entuziazëm nga mijëra mbështetës në Konventën Kombëtare Republikane, të mbajtur të hënën në mbrëmje në Milwaukee.

Ish-presidenti hyri në arenën e kongresit me një grusht të ngritur, ndërsa në sfond luhej “God Bless the USA”.

Ai kaloi ngadalë nëpër turmat brohoritëse të delegatëve, disa prej të cilëve kishin lot në sy, përpara se të përshëndeste aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij, duke përfshirë tre nga fëmijët e tij, por jo gruan e tij, Melania.

Turma e mbështetësve brohoriste dhe thërriste “Luftoni!” – fjala e Trump pasi një plumb e kapi në vesh gjatë një tubimi në Pensilvani të shtunën.

Ndërsa, Partia Demokratike ka vënë në dyshim kandidaturën e 81-vjeçarit Joe Biden pas një debati të dobët muajin e kaluar.

Ndërkohë, ekipi i Trump-it ka festuar fitore të fundit ligjore, raporton BBC.

Në Forumin Fiserv në Milwaukee, Trump dëgjoi rreth një orë fjalime, i ulur pranë kandidatit për zëvendëspresident, senatorit të Ohajos, JD Vance, vendi i të cilit në biletën për zgjedhjet e nëntorit u shpall vetëm disa orë më parë. Ish-presidenti nuk mbajti një fjalim, por nganjëherë shfaqej i prekur nga turma. Ai uli kokën në lutje dhe tha disa herë: “Faleminderit të gjithëve”.

Mbështetësit dhe delegatët republikanë, disa me lot në sy, kishin pritur për orë të tëra paraqitjen e tij, e cila nuk ishte e shënuar zyrtarisht në orarin e ditës së hapjes së kongresit, por pritej shumë. Paraqitja e Trump ishte pika kryesore e ditës së parë plot ngjarje të mbledhjes së republikanëve në Wisconsin, një nga gjashtë shtetet e fushëbetejës që do të vendosë zgjedhjet.

Përpara hapjes së konventës, u përhap lajmi se një gjykatës federal kishte hedhur poshtë akuzat penale kundër Trump për fshehjen e më shumë se 300 dokumenteve të klasifikuara në vendpushimin e tij në Florida pas mandatit të tij të parë në detyrë.

Aileen Cannon, një e emëruar nga Trump, vendosi se prokurori special Jack Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme dhe nuk kishte autoritetin për të ngritur një padi me 37 pika kundër ish-presidentit. Kjo ishte një fitore tjetër për Trump, i cili tani nuk përballet me asnjë perspektivë për një gjyq penal përpara se amerikanët të shkojnë në zgjedhje më 5 nëntor.

Menjëherë pas hapjes së konventës, gati 2,500 delegatë republikanë emëruan zyrtarisht Trumpin si kandidatin e tyre presidencial gjatë një votimi me emër.