Zyrapi thotë se nuk ka parë urdhër për arrestimin e Blerim Kuqit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dëshmitari Bislim Zyrapi ka vazhduar dëshminë e tij në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Bislim Zyrapi ka theksuar se nuk ka parë urdhër të nënshkruar nga Jakup Krasniqi për arrestimin e Blerim Kuqit.
Gjatë dëshmisë së Zyrapit, avokatja e pyeti atë për arrestimin dhe lirimin e Blerim Kuqit. Ajo e pyeti dëshmitarin se a e konfirmon që nuk ka parë një urdhër të tillë asnjëherë. Dëshmitari Bislim Zyrapi ka pohuar se nuk e ka parë një urdhër të tillë.
Në vazhdim të pyetjeve, avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagnedra, u përqendrua të organizimi i logjistikës së UÇK-së e cila sipas saj, bazën kryesore e kishte në Divjakë të Shqipërisë.
Ajo e pyeti dëshmitarin Bislim Zyrapi lidhur me deklaratën e Komandantit të Zonës së Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, i cili sipas saj në dëshminë e dhënë në këtë proces gjyqësor, ka thënë se ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia.
“Mustafa ka dëshmuar që ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia gjatë luftës. Ai ka shtuar gjithashtu që ka shtuar kontribute vullnetare të dhëna nga disa njerëz si brenda dhe jashtë Kosovës”, ka theksuar avokatja.
Avokatja e pyeti dëshmitarin se a është në dijeni të kësaj gjendje, dëshmitari shkurtimesh u përgjigj me po.
Paraprakisht, avokatja e pyeti dëshmitarin lidhur librin e Bardhë Hamzajt me titull “ Një narrativë për luftën dhe lirin”, ku në të ndër të tjera thuhej se Ramush Haradinaj kishte krijuar një mekanizëm paralel logjistike dhe kishte vendosur Mustaf Selmanaj si shef të saj.
Lidhur me këtë, dëshmitari Zyrapi ka deklaruar se Haradinaj e ka konsideruar që e ka bërë një vijë të veçantë, por sipas tij, ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së.
“U mundua në atë drejtim ta bëj një paralel në fakt, por të gjithë ata njerëz që kanë furnizua atë zonë kanë qenë të bazës së logjistikes së UÇK-së, po që kanë qenë të dedikuar drejt për Zonën e Dukagjinit. Kështu që ai e ka konsideruar që e ka bërë një vije të veçantë, por jo ajo ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së”, ka deklaruar Zyrapi. /rtk