“Shumë miliarda për miq dhe dosta”, Haradinaj kritika ndaj Qeverisë për tenderët njëburimorë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se sipas ASK-së gjatë qeverisjes së Kurtit mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën.

“Sipas ASK-së qeveritare gjatë qeverisjes së Kurtit, mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën, ani se për filozofët e Qeverisë Kosovën po e braktisin gjyshet”, tha Haradinaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se janë mbi 250 milionë euro tenderë njëburimorë.

“Mbi 250 milionë tenderë njëburimorë (vrima të lavdishme buxhetore) për dosta e miq, janë historike, por aspak për të mirë dhe organet e drejtësisë herët a vonë do të kenë shumë punë”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka shtuar se Kosova është nën sanksione të BE-së dhe SHBA-së dhe kjo është e paparë dhe historike.

“Dëmi deri tash, rreth 300 milionë euro, pra gropë e madhe e buxhetit dhe bajagi historike. Albini e ka implementuar marrëveshjen e 2013-tës për stickersa, targa të veturave dhe sot paska thënë edhe marrëveshjen për energji dhe kjo është historike”, shkroi Haradinaj.

I pari i AAK-së tutje ka shtuar se Kurti e ka marrë statusin e “Veteranit luftëtar” pa e veshur kurrë uniformën e UÇK-së dhe pa prekur kurrë armë me dorë, siç e parasheh ligji.

“Kjo s’ka qenë e lehtë, por është historike përnjëmend edhe goxha njëfarë grope. Asnjë njohje për 4 vjet qeverisje, asnjë anëtarësim. Gropa apo vrima të mëdha këto që ky kryeministër e kjo qeveri, nuk kanë as dije, as vullnet e as kohë t’i sanojnë. Ata tash janë orientu nga zgjedhjet e radhës që janë mashtrimi i radhës”, shkroi Haradinaj.