Në Speciale vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tjerë, Bislim Zyrapi javën e kaluar vazhdoi dëshminë e tij me pyetjet nga ekipet e Mbrojtjes.

Ai dha dëshmi gjatë gjithë javës dhe dëshmia e tij do të vazhdojë sot në orën 9:00 të mëngjesit.

Po ashtu të enjten e kaluar filloi dhënien e dëshmisë një dëshmitar tjetër, përmes videolidhjes. Sipas përmbledhjes së Prokurorisë që u lexua në sallën e gjyqit, ky dëshmitar u arrestua dhe u mbajt i ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998.