Zjarret rrezikojnë Gjirokastrën, ndërhyjnë zjarrfikësit dhe ushtria

Prej disa ditësh në kullotat në lartësitë e Malit të Gjerë kanë qenë aktive disa vatra zjarri, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi në drejtim të Gjirokastrës dhe rrethinave.

Orët e para të ditës së premte zjarrfikës, efektiva të ushtrisë dhe vullnetarë kanë ecur rreth 4 orë me këmbë për të nisur operacionin për shuarjen e tyre.

Vatra më problematike e zjarrit ka hyrë nga territori i Bashkisë Delvine dhe po avancon në drejtim të qytetit të Gjirokastrës.

Në operacionin për shuarjen e saj janë përfshirë 11 forca të efektivit zjarrfikës Gjirokastër, 34 forca vullnetare të Bashkisë Gjirokastër dhe 50 efektivë të ushtrisë. Zjarri ka një shtrirje rreth dy km dhe për shkak të terrenit të thyer po ndërhyhet me pompa shpine dhe mjete rrethanore për shuarjen e tij. /euronews