PDK: Do t’i dërgojmë në Kushtetuese Ligjin për KPK-në dhe atë për KPM-në

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Tahiri, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar të enjten se nëpërmjet votimit të këtyre ligjeve po tentohet të kapen dhe të nënshtrohen këto institucione të pavarura.

“Përpjekjet e përsëritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë, si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme”, është shprehur ai.

Deputeti i partisë opozitare ka shtuar se nëpërmjet dërgimit në Kushtetuese do të sigurohet “që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

“Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për t’i dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. /Zëri