AGK: Miratimi i Projektligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas miratimit të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Përmes një njoftimi, AGK-ja shprehet se e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Vetëvendosja e kryeministrit Kurti e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal dhe pa prezencën e opozitës në sallë. Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e medieve dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës, ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë u theksua sot para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”, thuhet në reagimin e AGK-së, raporton Zeri.info.

Sipas AGK-së, votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosja kanë bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre.

“Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës. AGK-ja bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit”, thuhet tutje në reagimin e AGK-së.

KËTU mund t’i gjeni vërejtjet kryesore. /Zëri