Zyrapi: Shtabi i Përgjithshëm s’ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i ZPS-së, Bislim Zyrapi, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagnedra, dëshmitari tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka arritur t’i plotësojë kapacitetet e nevojshme gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në përgjithësi, drejtoritë edhe në këtë kohë kanë qenë jo të plotesume, jo veç njona, dy e tri po asnjona. Shtabi nuk ka arritur t’i plotëson të gjitha kapacitetet e nevojshme për këtë Shtab. Kemi shku me ato çka kemi pasur, me çka kemi qenë në dispozicione e që kemi mujtë të punojmë”, tha Zyrapi.

Dëshmitari tha se sa i takon informimit në struktura është bërë gjatë takimeve duke shtuar se ata nuk kanë mundur që t’i profesionalizojnë të gjitha sektorët.

“Informimi zakonisht në atë kohë ka qenë siç e ceka edhe më herët siç shifet edhe në mbajtjen e takimeve, gjithnjë me problemet e furnizimit, resurseve e të gjithave që nevojitet. Në fakt, në normale përveç kësaj duhet të jetë edhe aspekti i profesionalizimit të këtyre drejtorive. Kur them profesionalizimit është edhe pjesa e trajnimeve dhe aftësimeve të njësive edhe më poshtë të këtyre sektorëve. Po, ne nuk kemi arritur të gjitha këto t’i bëjmë. Ne vetëm disa sektorë kemi mujtë t’i arrisimi, t’i përgatisim një pjesë të këtyre drejtimeve, por të gjitha jo”, tha ai.

Dëshmitari Zyrapi tha se në krye të drejtorisë së personelit në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm ishte emëruar Adem Grabovci.

“Drejtoria e personelit është e cila i ka edhe burimet njerëzore, ajo normale që informacionet i merrte edhe nga zonat edhe nga veprimet ushtarake edhe nga Shtabi, duhet marrë edhe nga drejtoritë të tjera, sidomos është dashur të marrë nga drejtoria e inteligjencës për arsye së është dashur me ditë edhe aspektin kur të përcaktohet dikush në detyrë komanduese se a mund t’i ofrohet dhe jepet ai besim. Ajo çdo kund, edhe në paqe edhe në luftë që nga kjo drejtori kërkohet çdoherë… ose mund të ushtrojë atë detyrë”, tha tutje dëshmitari.

Veç të tjerash, Zyrapi shtoi se për emërimet në pozita të ndryshme janë bërë propozime.

“Mirëpo, të gjitha këto nuk kemi mujt t’i bëjmë në atë kohë për arsye se edhe drejtoritë nuk kanë qenë të para, edhe nuk kanë pas resurse që t’i kem gjitha këto mundësi t’i bëjmë. Ato sa herë janë dhënë mendimet se çdo herë janë propozu nga zonat, komandantëve e zonave ose brigadave që të emërohen dikush në detyrat sipas vlerësimeve të tyre. Tek ne në shtab, ne kemi mujtë t’i vlerësojmë, komandantët e brigadave dhe zonave që mund të vendosen në ato pozicione”, tha dëshmitari Zyrapi.

Tutje, Zyrapi shtoi se komandantët e zonave dhe brigadave propozohen nga zonat dhe brigadat e që pastaj emërimet mund të bëhen nga strukturat më të larta. Kurse, pozitat në njësi më të vogla ai tha se i bënë komandanti i zonës ose brigadës në vartësi të nevojave që ka.

Disa materiale që i prezantuan dëshmitarit, Alagendra kërkoi që të pranohen në prova materiale për çka nuk pati kundërshtime dhe kjo u aprovua.

Një pjesë e seancës kaloi në sesion privat me kërkesën e Alagendras për t’ia bërë dëshmitarit disa pyetje.

Për ditën e sotme dëshmitari Zyrapi mbaroi dëshminë, ndërsa pritet të vazhdojë serish të hënën, më 15 korrik 2024.

Ellisi për kompjuterin e Krasniqit: Ishte përdorur për t’u vendosur rrobat që të thaheshin

Mbrojtja e Jakup Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis e ka marrë fjalën në fillim të seancës së sotme në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku ka folur lidhur me dokumentet e shumta që janë ofruar në këtë proces gjyqësor për të cilat Prokuroria kishte pretenduar se janë gjetur në kompjuterin e Jakup Krasniqit.

Mirëpo, Ellisi shpjegoi se ZPS-ja tashmë e kishte konfirmuar se ky kompjuter nuk ishte i lidhur me një monitor, por me rrymë elektrike. Krahas kësaj, ai tha se është kuptuar që kompjuteri është përdorur si mjetë mbështetje që të vendoseshin rrobat për t’i tharë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sikur se e dini në këtë proces gjyqësor shumë dokumente janë ofruar për t’u pranuar në prova që prokuroria pretendon që i ka gjetur në vendin e punës, kompjuterin e Krasniqit në shtëpinë e tij. Sa i takon kompjuterit, thjeshtë për ta shpjeguar kur flasim për një vend pune e kuptojmë sikur është një vend pune, një njësi kompjuterike. Me e-mailin e datës 28 qershor të këtij viti, Prokurori konfirmoi që ai nuk ishte i lidhur me një monitor, por ishte i lidhur me energjinë ose rrymën elektrikë. Megjithatë, e kuptojmë që kjo nuk është mënyra e punës dhe ai është përdorur si një mjet për mbështetje dhe ku vendoseshin rroba në mënyrë të tillë që të thaheshin dhe nuk është përdorur si vend pune”, tha Ellisi.

Ellisi tha se ZPS-ja vazhdimisht parashtron se Krasniqi ka pasur njohuri për autorësinë e këtyre dokumenteve e që sipas tij mbrojtja kërkon që të provohen këto pretendime.

“Ndërkohë që sipas parashtrimit të prokurorisë, parashtrohet që z. Krasniqi ka pasur njohuri për autorësinë e këtyre dokumenteve. Pozicioni dhe qëndrimi ynë dhe sqarimet tona sa i takon kundërshtimeve të pranimit të këtyre dokumenteve është që prokuroria duhet të provojë këto pretendime dhe ka disa pengesa të cilat duhet të sqarohen prej jush z. Gjykatës sepse prokuroria nuk ka përcaktuar, apo nuk ka sqaruar se cili është zinxhiri i ruajtjes”, tha ai.

Ellisi gjithashtu tha se ZPS-ja nuk e ka vërtetuar se kanë sekuestruar kompjuterin që lidhet me fotografitë të cilat vazhdimisht janë prezantuar në sallë e që pretendohet se janë bërë në shtëpinë e bardhë në Divjakë.

“Gjithashtu nuk kanë vërtetuar se kanë sekuestruar kompjuterin që takon e lidhet me fotografitë të cilat janë treguar dhe që pretendohet që të jenë bërë në shtëpinë e bardhë në Divjakë dhe nuk është treguar se sa veta kanë pasur qasje në periudhën nga 1999-a deri në nëntor të 2020-ës dhe nuk është vërtetuar në qoftë se Krasniqi e ka përdorur apo jo kompjuterin”, tha Ellisi.

Avokati i Krasniqit shtoi se ZPS-ja nuk ka vërtetuar se këto dokumente elektorinike nuk janë larguar apo marrë asnjëherë nga ky kompjuter gjatë viteve 1998-99 apo nëse janë gjetur në versionin e papërfunduar.

“Po ashtu, nuk është vërtetuar nëse dokumentet elektronike nuk janë larguar ose nuk janë marrë asnjëherë nga kompjuteri në periudhën nga 98-a apo 99-a apo që kanë mbetur si një version në draft ose një version i pa përfunduar. Kështu që si rezultat nuk mund të arrihet një rezultat sa i takon autorësisë apo njohurisë. Kështu që prova që një gamë njerëz kanë pas qasje në atë kompjuter, nuk mund të provojë që në një person i caktuar i ka shtypur dokumentet ose në fakt këto dokumente në kompjuter kanë qenë dokumente për të cilat z. Krasniqi ka pas dijeni a po jo”, tha Ellisi.

Aiden Ellis tha se Prokuroria nuk provon dot që dokumentet janë të besueshme ose autentike, pasi shumë dëshmitarë kanë thënë se nuk i kanë parë më herët.

“Sa i takon kundërshtimit që kemi është që Prokuroria nuk provon dot që dokumentet janë të besueshme apo autentike. Shumë dokumente janë paraqitur dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor si dokumente të cilat janë sekuestruar nga Jakup Krasniqi pa specifikuar se janë dokumente elektronike nga kompjuteri. Dëshmitarët, pjesa dërrmuese e tyre kanë thënë që është hera e parë që i kanë parë këto dokumente. Kështu që qëndrimi ynë është që nuk ka arsye të mjaftueshme për të treguar autenticitetin e dokumenteve. Qëndrimi ynë është që Prokuroria duhet të ketë provë strikte për të gjitha këto çështje. Barra e provës i takon Prokurorisë”, tha ai.

Ndërkohë, ai foli edhe për mundësinë që Prokuroria të tërhiqet si rezultat i mosvërtetimit të autorësisë së dokumenteve e që si rrjedhojë mund të kalohet më shpejtë në pyetje për çështje të tjera.

“Sa i takon çështjes faktike që ne po e eksplorojmë në kundër pyetje, në qoftë se prokuroria është e përgatitur që të tërhiqet si rezultat i mos vërtetimit të autorësisë së njohurive për sa i takon dokumenteve sigurisht që mund të kalojmë më shpejt në çështje tjera për kundër pyetje, por përderisa ky mbetet ende pozicioni i Prokurorisë dhe Prokuroria nuk tërhiqet nga pozicioni i saj, sigurisht që ne do të bëjmë pyetje të cilat lidhen me këtë sferë”, tha ai.

Kundërpërgjigje për Ellis pati edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e përfaqësuar nga prokurorja Clare Lawson, e cila shpjegoi rrethanat që e bëjnë të mjaftueshëm mbështetjen e pretendimit të tyre sa i takon këtyre dokumenteve.

“Sigurisht që disa dokumente janë gjetur në posedim të z. Krasniqi dhe në atë çfarë mendohet që ka qenë një aparat ose një kompjuter që është përdorur në atë kohë, ne mendojmë që është relevante dhe shton vlerë provuese sa i takon njohurisë së të akuzuarit për këto materiale. Megjithatë zakonisht ky është një faktor në midis faktorëve të tjerë duke përfshirë këtu marrëdhënien ndërmjet dokumenteve të gjetura në kompjuter dhe dokumenteve të gjetura në version të shtypur në posedimin e z. Krasniqi. po ashtu edhe pranimet e mëparshme të autorësisë të z. Krasniqi të dokumenteve të caktuara si dhe dëshmia nga dëshmitar të caktuar besoj që janë të mjaftueshme për të mbështetur pretendimin tonë”, tha Lawsoni.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit si dhe seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 75-të që është Bislim Zyrapi i cili pritet që të dëshmojë deri në orën 11:00 për të vazhduar më pas me dëshmitarin e 77-të.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi