Roja i parkimit plagos me thikë ish-policin në Sarandë

Ish-efektivi i Komisariatit të Sarandës, Lavdosh Metaj, 41 vjeç, i arrestuar në vitin 2021 për shpërndarje kokaine dhe i liruar tre muaj më parë më parë për shkak të amnistisë, ka mbetur i plagosur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje.

41-vjeçari me origjinë nga Mallakastra, dyshohet të jetë goditur me thikë nga roja i një hoteli në lagjen nr. 1 në Sarandë. Metaj kishte parkuar automjetin brenda hotelit dhe kur ka shkuar ta marrë, nuk ka pranuar të kryejë pagesën.

Për këtë shkak është konfliktuar verbalisht dhe më pas fizikisht me rojën e hotelit, çka ka degjeneruar në përdorimin e thikës. Metaj është transportuar drejt spitalit të Sarandës ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Policia është ndodhur menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar autorin e dyshuar me inicialet A. Sh.

Lavdosh Metaj ka shërbyer për disa vite në Komisariatin e Policisë Sarandë në detyra të ndryshme. Në qershor 2021, teksa shërbente në repartin “Shqiponja”, u arrestua pas një operacioni të AMP-së. Ai u akuzua për shpërndarje kokaine në qytet, ndërkohë që procedimi fillestar kishte nisur edhe për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës drejt Greqisë. Nga kontrolloi AMP i zbuloi atij 166 gramë kokainë e destinuar për shpërndarje në qytetin e Sarandës. Metaj u dënua nga Gjykata e Sarandës me 5.4 vjet burg, por u lirua për shkak të amnistisë në prill të vitit 2024.