Ndarja e 21 milionë eurove nga Qeveria për humbjen me “Contour Global”-in nxit reagime në vend
Qeveria e Kosovës ka ndarë 21 milionë euro pas humbjes që Kosova pësoi në Gjykatën e Arbitrazhit për rastin e “Contour Global”-it.
Kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave Hekuran Murati fajësuan qeverinë “Haradinaj”.
Ndërkohë, ndarja e 21 milionë eurove ka nxitur reagime edhe të politikanëve të tjerë.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën u mor vendim të ndahen 21 milionë euro për pagesë ndaj humbjes së rastit të Kosovës me kompaninë “Contour Global”.
Në këtë mbledhje kryeministri Kurti e ministri Murati fajësuan ish-kryeministrin Ramush Haradinaj që kishte nënshkruar këtë kontratë.
E reagimi i Haradinajt ishte i menjëhershëm. Ai nuk la gjë pa i thënë Kurtit, duke thënë se po dëshmon që është kryeministër i dobët e “njeri i poshtër”.
“Albini çdo ditë po dëshmon se është edhe kryeministër i dobët edhe njeri i poshtër. Me krenari dhe me lëvdata e ka pas shkelë kontratën me ‘Contour Global’ (ministrja e tij i ka dërgu letër dhe ia ka ndërprerë përkrahjen) e me faqe të zezë përgjegjësinë për dëmshpërblim po e heqë prej vetes. E pabesueshme ku ka mbërri logjika e politikës trushpërlarëse e Kurtit”, shkroi ai në Facebook.
Haradinaj ka akuzuar Kurtin për ndërprerjen e këtij projekti.
“Kurti e la Kosovën edhe pa 500 MW energji, ku që nga viti 2023 do t’i përfitonte Kosova me çmim prej 83€ e në ndërkohë ka blerë energji deri në 600€ e qytetarit të shkretë jo një, por dy herë ia ka rritë çmimin e energjisë. Kjo është politika e mashtruesit Albin Kurti. E gjuan gurin, e vjedh popullin dhe në mënyrën më të poshtër e fsheh dorën”, shkroi Haradinaj.
Ndërkohë edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka kritikuar qeverinë “Kurti”, që sipas saj, tentuan që ndarjen e 21 milionë eurove ta bëjë si të keqen më të mirë.
“Humbja e 21 milionë eurove nga buxheti i shtetit për shkak të humbjes së lëndës në Gjykatën e Arbitrazhit për rastin e ‘Contour Global’-it dhe krenaria e rrejshme e Qeverisë Kurti se kemi mundur të humbim edhe më shumë, tregon për të satën herë, se këta me propagandë e demagogji, e bëjnë edhe limonin e ëmbël. Qeveri e mashtrimit të madh!”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërsa, deputeti i pavarur, Haki Abazi, përveç Kurtit ka përmendur ministren Rozeta Hajdari, e zyrtaren e LVV-së, Dejona Mihalli, si treshe që i kanë humbur 21 milionë euro Kosovës.
“Treshja Kurti - Mihaili- Hajdari i kushtojnë Kosovës 21 milionë euro nga humbja në një arbitrazh. Kjo lëndë ka qenë krejt e lehtë që të vendoset në favor të Kosovës, por panjohuritë dhe mungesa e plotë e profesionalizimit ka bërë që jo vetëm në këtë rast të humbasim mundësitë për vendin!”.
“Ky nuk është ndryshimi, ky është vetëm vazhdimi i keq!”, shkroi ndër të tjera Abazi.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në qershor 2020 kishte njoftuar investitorin “Contour Global” për ndërprerje të marrëveshjes. Ndërsa me datë 19.11.2020, investitori “Contour Global” kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.
Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavate.