Rama: 41 mijë automjete kaluan në tunelin e Llogarasë që nga hapja e deri më sot

41 mijë automjete kanë kaluar përmes tunelit të Llogarasë nga dita e parë e hapjes më 5 korrik e deri më sot.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama i cili ndau në rrjete sociale momente të qarkullimit të automjeteve në tunelin e Llogarasë ku shihet fluks i shtuar mjetesh që qarkullojnë në kushtet e një rruge të ndërtuar sipas standardeve më të mira.

Tuneli i Llogarasë në Vlorë, me gjatësi 5.9 km, është vepra më e rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut.

Ky investim i jep një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës.

Hyrja për në tunel nis nga Dukati, duke shmangur kthesat e Llogarasë dhe del në fshatin Palasë.

Distanca e udhëtimit në këtë segment llogaritet 7-10 minuta, nga rreth 40 minuta që përshkohej nga Qafa e Llogarasë.