QKUK-ja reagon pas aktakuzës ndaj dy kardiologëve

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj dy kardiologëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Aktakuza ndaj dy kardiologëve, E.H. dhe L.K., është ngritur më 31 maj, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë e ka pranuar atë më 16 qershor, transmeton Telegrafi.

Të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës”.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Në reagim thuhet se QKUK-ja do të trajtojë rastin sipas legjislacionit në fuqi.

“Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) është njoftuar lidhur me inicimin e procedurës penale për drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë dhe një shefit të njësisë të po kësaj klinike. QKUK-ja rastin do ta trajtojë konform legjislacionit në fuqi, përmes sektorit të burimeve njerëzore. I sigurojmë të gjithë se do të veprohet bazuar në legjislacionin në fuqi, lidhur me këtë rast”, thuhet në reagim.

Ndryshe, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, tha se dy kardiologët akuzohen për veprën penale “Diskriminim, cenim të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe ndëshkimit”.

“Referuar kërkesës suaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, më 14.06.2024 ka pranuar aktakuzën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj dy të pandehurve, L.K. dhe E.H., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës’”, deklaroi ajo.