Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, e kanë caktuar 16 korrikun 2024 si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.

Kjo është bërë e ditur nga DHSK-ja përmes një njoftimi për medie.

“Sot, më 9 korrik 2024, trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.