Nis fushata “Festo me zemër, jo me armë”

Policia Rajonale e Ferizajt shpërndau fletëpalosje dhe posterë “Festo me zemër, jo me armë”.

Policia Rajonale e Ferizajt është e fokusuar në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në mbarë rajonin e Ferizajt për sigurinë e secilit qytetar.

Në kuadër të planit operativ “Sezoni e verës 2024’’ policia ka shtuar prezencën e saj në ambiente të hapura, në sheshe, në afërsi të lokaleve të ndryshme, ku mbahen organizime festive.

“Policia Rajonale e Ferizajt ka filluar shpërndarjen e disa fletëpalosjeve dhe posterëve me moton "Festo me zemër, jo me armë" me disa porosi, projekt ky i mbështetur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Policia apelon tek qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë që:

- Përdorimi i armëve në festa dhe gëzime mund të shndërrohet në tragjedi,

- Është e ndaluar dhe sanksionohet me ligj gjuajtja me armë zjarri, përveç në vendet e caktuara dhe të licencuara për gjuajtje (poligonet e gjuajtjes).

- Përdorimi i armës gjatë festave përbën vepër penale të ‘’Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm’’, ‘’ Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, si dhe ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’.

- Për këto vepra penale parashihet dënim me gjobë 10.000 euro, apo dënim me burg 1 deri 8 vjet”, thuhet në njoftim.

Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë.

Sipas Policisë, sa herë që kanë informacione për veprat që cenojnë sigurinë e qytetarëve, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Policia do të reagojë menjëherë.

“Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, siguron policia. /Zëri