Ankesa të shumta për vëzhgim me kamerë në shtëpi ose banime kolektive, AIP-ja kërkon nga qytetarët respektim të ligjit

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në kuadër të masave për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, u bën thirrje të gjithë personave fizikë/juridikë që vendosin të instalojnë kamera të vëzhgimit në objektet private t’i kenë parasysh kriteret për mbrojtjen e privatësisë dhe masat e sigurisë.

AIP-ja në një njoftim për media bën të ditur se ka pranuar numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët për vëzhgimin me kamerë në objektet private (në shtëpi dhe banime kolektive) jashtë kritereve të përcaktuara me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ankesat e adresuara në disa raste kanë rezultuar me cenimin e privatësisë së qytetarëve, pasi të njëjtat kanë vëzhguar jashtë parametrit të pronës private, duke përfshirë pronën private të huaj dhe hapësirat publike.

Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët kanë vendosur sistemin e kamerave, që të sigurohen që kamerat të vëzhgojnë dhe regjistrojnë vetëm pronën e tyre dhe jo hapësirat publike ose pronën e fqinjëve”, thuhet në njoftim.

Me rastin e vendosjes së kamerës, qytetarët janë të obliguar të vendosin shenja njoftuese për praninë e kamerave, të ruajnë regjistrimet në mënyrë të sigurt, duke i mbrojtur nga qasjet e paautorizuara, si dhe regjistrimet t’i ruajnë për një periudhë të arsyeshme kohore jo më shumë se 30 ditë.

AIP-ja thekson tutje se respektimi i këtyre kritereve ndihmon në mbrojtjen e privatësisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.