Stafi teknik i Kuvendit të Kosovës proteston sot, shkak pagat e ulëta

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se stafi teknik i Kuvendit të Kosovës sot do të protestojë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.

Protesta e tyre, sipas komunikatës, vjen si pasojë e pagave të ulëta.

“Të martën, më datë 09.07.2024, nga ora 10:00 deri në orën 11.00, punëtorët teknikë të Parlamentit të Kosovës do të protestojnë para Parlamentit për shkak të pagave të ulëta”, thuhet në njoftimin e SPSP-së.

Paga e stafit teknik të Kuvendit është 275 euro. Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, kishte njoftuar për negociatat e vazhdueshme paraprake të stafit teknik me udhëheqësinë, por ato nuk kishin dhënë rezultate.