Temperaturat e larta, Policia në Pejë apelon qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve

Policia në Pejë u ka bërë apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve, kjo për shkak të temperaturave të larta.

Gjithashtu kanë bërë thirrje të raportojnë ose lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve.

“Duke iu referuar temperaturave të larta gjatë këtyre ditëve dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen. Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë ose lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve”.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën ose pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht ose përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme. Apelojmë të të gjithë qytetarët, të cilët frekuentojnë zonat malore të rajonit të Pejës, e në veçanti Bjeshkët e Nemuna që maksimalisht të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre gjatë përdorimit si (shkrepëse, cigare, grilla, zjarre në natyrë etj.)”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.