Krasniqit i hiqet kravata para se të futet në sallë, reagon avokatja e tij

Jakup Krasniqi nuk është lejuar të futet në sallën e gjykimit të Dhomave të Specializuara në Gjykatën Speciale në Hagë, i veshur siç kishte planifikuar.

Sigurimi e ka detyruar atë ta heqë kollaren, siç ka bërë të ditur në krye të seancës Venkateswari Alagendra, avokatja e Krasniqit.

“Krasniqi ka pasur një kollare sot në mëngjes dhe ia kanë hequr, a mund të dimë pse ia kanë hequr?”, ka pyetur Alagendra, teksa kryegjyqtari Charles Smith iu përgjigj se “nuk e ka haberin” dhe se do të interesohet për këtë çështje.

Më tej, mbrojtësja e tij ka bërë të ditur se Krasniqi e ka vënë edhe më herët të njëjtën kollare në sallën e gjykimit, prandaj është e pakuptueshme arsyeja e moslejimit të hyrjes në DHSK me të njëjtën veshje.

Dihet se gjerë më sot Krasniqi është shfaqur në Speciale me një kollare kuqezi dhe me shqiponja, të cilën me raste e pati vënë edhe Nasim Haradinaj. /klankosova