Mbi 200 muzikantë performuan në sheshin “Skënderbeu” në nder të çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së SHBA-së
Mbi 200 muzikantë nga Filarmonia e Kosovës, Kori i Operës së Kosovës dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” kanë performuar mbrëmjen e së shtunës në sheshin “Skënderbeu” në koncertin e titulluar “Koncert për Paqe”.
Ky organizim i jashtëzakonshëm muzikor i Filarmonisë së Kosovës ishte edhe koncerti përmbyllës për sezonin 2023/2024 dhe në kuadër të saj shënoi dy përvjetorë të rëndësishëm: 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Koncertin e drejtoi dirigjenti, Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve ishin Adelina Paloja, Liridon Sadriu dhe Safet Berisha, që i sollën publikut vepra të fuqishme nga literatura muzikore, përfshirë këtu vepra”L’homme Armé: Mass for Peace”, nga kompozitori britanik Karl Jenkins, që u kushtohet viktimave të luftës së Kosovës.