Xhamia 530 vjeçare e veshur me ngjyrat kuq e zi, monumenti historik i Pejës
Gurët e lashtë të cilët i përkasin shekullit të XV, Xhamisë së Jabllanicës së Madhe në Pejë, i japin këtij objekti epitetin si një ndër monumentet më të vjetra të cilat gjinden në Kosovë.
Koloriti i shumtë i ngjyrave e cila lidhet edhe me historinë shqiptare e bëjnë këtë vend edhe më të veçantë, ku përkundër vjetërsisë afër 530 vjeçare ka arritur të ruaj origjinalitetin e saj.
Kjo xhami lidhë dy fshatrat e Jabllanicës dhe Radacit. Hoxhë Sadri Zekaj ka treguar histori dhe ngjarje që e bëjnë këtë objekt si një ndër më të vjetrit në komunën e Pejës, e dokumentuar edhe nga arkivat e shtetit turk në Stamboll.
“Janë tre fshatra të cilët e frekuentojnë këtë xhami, Jabllanica e Madhe dhe ajo e vogël si dhe Radaci. Kjo xhami është e vjetër, më e vjetra pas Çarshi Xhamisë në Pejë, dmth 530 vjeçare. Kjo gjë është e dokumentuar edhe nga arkiva e Stambollit, në gjuhën turke”, është shprehur Imami Zekaj.
Ndërtimi i saj oriental në stilin turk me drunj që tashmë vështirë gjinden dhe të gdhendur e tëra me dorë, me dritaret të rrethuara me hekur, për hoxhën Zekaj këto detaje i japin më shumë madhështi kësaj shtëpie të Zotit.
Disa pjesë të saj sipas tij është dashur të ndryshohen për shkak të luftërave në periudha të ndryshme, të cilat ky objekt i ka kaluar, por ajo që ka mbetur e pa prekur për më shumë se 5 shekuj është tavani i saj.
“Duke pasur parasysh se është edhe prej gurit, është në stilin turk, ndërtimi është në atë metodën e vjetër, vetëm drunjtë të cilët i ka, kur kanë ardh nga Ministria e Kulturës, kanë thënë se këta drunj nuk guxon të preken. Sipas tyre ky lloj druri para 530 vjetëve është i gdhendur jo me mjete moderne por me dorë siç është punuar më parë, secili dru që gjendet këtu ruan shenja që dëshmojnë se janë të punuara të gjitha me dorë. Pjesa e vetme që ka shpëtuar është tavani, ai është si ka qenë më herët, ka shpëtuar pa u djegur”, tha Zekaj për Telegrafin.
Zekaj në këtë xhami, ka vendosur që në muret e saj të ketë edhe një pikturë të kullës shqiptare duke kujtuar historinë e saj dhe arsyen se pse deshi të vendoset në atë vend.
Ai vazhdon rrëfimin duke thënë se gjatë luftës së fundit në Kosovë një pjesë e murit ishte demoluar dhe pas ndërtimit të saj, Zekaj vendosi që në vend të një vizatimi pikturë të xhamisë të vendosë punimin e një kulle.
“E veçanta tjetër është se në luftën e fundit kur është demoluar kulmi nga gjuajtjet me granata, pjesa lartë e murit është shkatërruar dhe aty në vend të një punimi që simbolizon xhaminë, unë kam kërkuar të bëjmë një pikturë me kullën shqiptare me tregu që jemi në xhami shqiptare”, ka thënë ai.
Sipas Zekajt, përveç shumë vizatimeve dhe llojllojshmërisë së ngjyrave që posedon kjo xhami, ai thekson se në ambientet e saj gjendet edhe piktura e veçantë e cila është vula e Sulltanit e cila është përdorur gjatë kohës së Perandorisë Osmane.
“Kjo pikturë këtu është vula e Sulltanit, drejtori i Turqisë që ka qenë në Kosovë, ka thënë se është xhami tipike e vjetër, me mure të jashtme e të brendshmet, me kolorit të jashtëzakonshëm, por për këtë vule jam shumë i befasuar sepse në xhamitë tjera të Kosovës nuk e kam parë ishte shprehur shtetasi nga Turqia”, potencon Zekaj.
Ngjyrat kuq e zi në këtë xhami simbolizojnë dashurinë për atdheun, thotë Zekaj cili vazhdon me rrëfimin duke theksuar se përkundër djegies të një pjese të këtij objekti këto ngjyra nuk janë zhdukur.
Zekaj ka thënë se ishte iniciativa e tij që në kohën e Jugosllavisë të bëhej ky ndryshim i ngjyrave, pasi sipas imamit deri në atë kohë në drunjtë e kësaj xhamie mbizotëronin ngjyrat e flamurit jugosllav, por përkundër vështirësive, Zekaj tregon që arritën të bëjnë ndryshimin e madh të këtij objekti me ndihmën e disa banorëve të tjerë edhe pse kjo pati pasoja duke u përballur edhe me policinë e asaj kohe.
“E veçantë e kësaj xhamie janë ngjyrat kuq e zi, janë aq të punuara mirë sa edhe kur është djegë xhamia, vizatimet kanë ngelur. Para luftës, drunjtë e kësaj xhamie kanë qenë me ngjyrë që simbolizonin flamurin jugosllav por mua kjo gjë më mundonte dhe së bashku me disa djem të fshatit, i kemi ngjyrosë me kuq dhe zi, por për çudi nga shkon lajmi, policia serbe na hetojnë dhe vijnë të ndërpresin punën dhe më thërrasin në polici, një kohë rreth dy, tre orë më kanë mbajtur atje më pyetjet, pse e ki prek, nuk ke pasur të drejt ta prekësh. Edhe në këtë kohë të sotme ndoshta nuk më kishin lejuar as institucionet shtetërore të Kosovës por atëherë e kam shfrytëzuar këtë rast. Për këtë rast kam pasur vetëm një mundim, një djersitje, por kalova pa pasoja”, ka përfunduar Imami i kësaj xhamie.
Xhamia Kullë e Jabllanicës së Madhe është e mbrojtur me ligj dhe hyn tek monumentet historike të Kosovës.