Holanda me përmbysje eliminon Turqinë dhe kalon në gjysmëfinale

Holanda ka fituar me rikthim ndaj Turqisë me rezultat 2-1, për të kaluar në gjysmëfinale të Euro 2024. 

Turqit e nisën shumë mirë takimin, duke rrezikuar disa herë me gjysmëraste, por edhe holandezët kishin rastet e tyre.

Kur po zhvillohej minuta e 35-të erdhi goli i parë, me Arda Guler që harkoi në zonë ku e gjeti Samet Akaydin, i cili me kokë shënoi për 1-0.

Pas golit holandezët kishin më shumë nga loja, por turqit u mbrojtën mirë duke shkuar në pushim me epërsi.

Turqit e nisën dhe pjesën e dytë më mirë, me Arda Guler që goditi shtyllën në minutën e 56-të nga një goditje dënimi.

Kenan Yildiz ishte afër golit në minutën e 65-të, por portieri Bart Verbruggen bëri pritje të madhe.

Me disa zëvendësime, Ronald Koeman ndryshoi lojën e holandezëve, ku ja nisën të krijonin më shumë raste.

Kjo iu shpërblye, kur në minutën e 70-të, Memphis Depay asistoi te Stefan de Vrij i cili shënoi për 1-1.

Nuk vonoi shumë dhe Holanda mori epërsinë, kur Coady Gakpo shënoi nga afër për 2-1.

Pesë minutat e fundit ishin dramë e vërtetë, me Turqinë që kishte dy raste të mira shënimi, fillimisht me Cenk Tosun, por gjuajtja e tij me kokë shkoi jashtë.

Semih Kilicsoy kishte rastin më të mirë në ndeshje, por pritja e Bart Verbruggen ishte e jashtëzakonshme, duke i dhuruar fitoren Holandës.

Tulipanët kaluan në gjysmëfinale, ku do të përballen me Anglinë.