Neziraj: Komunikata për bashkëpunimin me teatrin e Beogradit, pjesë e një projekti hulumtues-artistik
Nuk ka Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Qendrës Multimediale të Kosovës (Qendra Multimedia) dhe Teatrit Kombëtar në Beograd dhe as qyteti i Beogradit nuk do të “marrë frymë shqip”.
Po kështu, nuk ka asnjë shfaqje "Banjska - dhimbja dhe krenaria jonë", e cila bazohet në fragmente nga një libër i supozuar se u shkrua nga Millan Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në veri të Kosovës. Nuk ka asnjë shfaqje kushtuar një familjeje shqiptare që merrej me tregtinë e oxhakpastruesve.
Njoftimi për media me këto pretendime dërguar mediave më 2 korrik nga Qendra Multimediale nga Prishtina, përndryshe një organizatë me fokus teatrin dhe letërsinë provokuese, është raportuar nga shumë media në Serbi, por edhe në Kosovë.
E gjithë kjo është pjesë e një projekti hulumtues dhe artistik, thotë në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Jeton Neziraj, drejtor i kësaj qendre.
“Metodologjia e punës përfshin edhe forma të tilla ndërhyrjeje, le të themi ‘subversive’, ku testohen dhe analizohen reagimet e publikut dhe medias përmes krijimit të situatave në dukje realiste”, thotë Neziraj.
“Në rastin tonë njoftimi për memorandumin me Teatrin Kombëtar në Beograd, doli, përveç kësaj ndër të tjera, sa e hollë është fija që ndan stereotipin dhe racizmin e normëzuar në realitet, në një mjedis ku ato janë pjesë e vetëdijes kolektive”, shtoi ai.
Ky njoftim për bashkëpunimin e supozuar pasoi disa ditë pasi autoritetet serbe ndaluan mbajtjen e festivalit të bashkëpunimit kulturor kosovaro-serb “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, pas një proteste të anëtarëve të grupeve të krahut të djathtë.
Radio Evropa e Lirë: Z. Neziraj, keni bërë një njoftim për gjoja bashkëpunimin “historik” të Qendrës suaj Multimediale (Qendra Multimedia) me Teatrin Kombëtar të Beogradit dhe realizimin e shfaqjeve me tematikë joreale. Mund të na thoni për çfarë bëhet fjalë?
Jeton Neziraj: Ajo që mediave në rajon u është përcjellë në formën e një komunikate, është pjesë e një projekti hulumtues-artistik, që po realizohet nga një grup artistësh në Prishtinë, të udhëhequr nga Qendra Multimedia. Metodologjia e punës përfshin edhe forma e intervenime të këtilla, të themi 'subversive', ku përmes projektimit të situatave në dukje të vërteta, testohen e analizohen reagimet e publikut, por edhe të medias.
Elementi performues në këtë rast është i zhvendosur në nivelet virtuale. Duke e njohur dhe pranuar si fillim hapësirën virtuale si hapësirë tashmë publike dhe duke e përdorur median si mjet dhe si ndërmjetësues, kjo ndërhyrje në hapësirën virtuale realizohet ndërmjet tekstit [komunikatës] dhe publikut-lexues si pranues e si ndërveprues.
Imagjinoni ato qindra emocione që gjenerohen te lexuesit dhe mënyrën se si imagjinata e tyre përpiqet të krijojë imazhe, të prodhojë rrëfime, t'u japë logjikë gjërave që thuhen në komunikatë, e të tjera.
Përtej kësaj, janë pastaj forumet e rrjeteve sociale, ku njerëzit e debatojnë lajmin dhe kështu, performanca zhvendoset në një teren tjetër – duke krijuar një ndërveprim ndërmjet njerëzve.
Pra, ka disa nivele të cilat janë të ndërlidhura e të cilat janë të gjitha pjesë të këtij 'ekosistemi' performativ, të cilin ne e synojmë dhe e gjenerojmë me intervenimin tonë.
Të them edhe se një 'metodologji' të këtillë të 'provokimit të opinionit' e kemi përdorur disa herë më përpara, madje qysh në vitin 2012, kur patëm realizuar shfaqjen "Fluturimi mbi teatrin e Kosovës". Por, e kemi përdorur edhe para disa vitesh, kur patëm paralajmëruar ardhjen e shkrimtarit Peter Handke në Kosovë - në kohën kur ai ishte shpallur person non grata dhe ishte krejtësisht i padëshirueshëm në Kosovë.
Për shfaqjen "Fluturimi mbi teatrin e Kosovës", ne patëm nisur tri komunikata për media që patën marrë jehonë të madhe. Në to, ne 'konfirmonim' se shfaqjen po e realizonim në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe se Hashim Thaçi, asokohe kryeministër, ishte kumbar i shfaqjes. Për më tepër, patëm thënë se ai do të udhëtonte me ekipin e shfaqjes në Beograd dhe se do të luante edhe në shfaqje, e se kjo kishte qenë ëndrra e tij qysh si fëmijë. Asokohe, ky intervenim subversiv i yni nuk pati kaluar pa telashe.
Qeveria pati provuar fuqishëm ta censurojë shfaqjen, por nuk ia doli. Kur shfaqja u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës, qe bërë nën masa të rrepta policore.
"U dëshmua se sa e hollë është fija që ndan stereotipin dhe racizmin e normëzuar në realitet"
Radio Evropa e Lirë: Cili ka qenë qëllimi i këtij “intervenimi”?
Jeton Neziraj: Këto intervenime i bëjmë kryesisht për të parë e analizuar mënyrën se si reagon publiku, mediat e politika, ndaj temave të caktuara. Ato reagime na shërbejnë pastaj në procesin tonë kreativ. Ne, në disa raste përdorim personazhe reale, që kanë funksione publike dhe që përfaqësojnë një institucion të caktuar, në raste të tjera krijojmë e prodhojmë 'fakte' që duken si të vërteta por që nuk janë, mirëpo më së tepërmi përdorim elementin satirik për t'ua dhënë edhe 'hijen e dyshimit' 'fakteve' që paraqesim. Por, nuk është fare qëllimi të demonizojnë askënd, as mediet e askënd tjetër.
Intervenimet e këtilla që bëjmë, funksionojnë mirë, sepse kanë brenda vetes edhe elementin provokues. Rezultati është mahnitës, në disa aspekte.
Në rastin e komunikatës sonë mbi memorandumin me Teatrin Kombëtar në Beograd, u dëshmua, ndër të tjera, se sa e hollë është fija që ndan stereotipin dhe racizmin e normëzuar në realitet, në një ambient ku ato janë pjesë e vetëdijes kolektive.
Fare pak njerëzve që komentonin në rrjete sociale u binte në sy elementi racist (si ai për 'shqiptarët që nuk kanë teatër', por që paskan 'folklor të pasur'), apo riprodhimi i stereotipit për shqiptarët në Beograd si oxhak-fshirës e sharrëxhinj, si stereotip që synon reduktimin kulturor e social të një populli. Të thuash se 'shqiptarët nuk kanë teatër', ose 'shqiptarët nuk dinë çka është teatri' është racizëm, racizëm kulturor apo sido që ta definojmë. Dhe, kur një fjali e këtillë 'thuhet' nga "Ministria e Kulturës në Serbi", ajo bëhet e besueshme dhe gati-gati normale dhe konotacioni i saj racist bëhet i pahetueshëm. Pse? Sepse një qasje e këtillë e dominon diskursin zyrtar të Qeverisë atje.
Njerëzit, me komentet e tyre në rrjetet sociale, më shumë (shumë më shumë) alarmoheshin që po ndodhte ky bashkëpunim dhe se “Teatri Kombëtar në Beograd po 'përlyhet' nga shqiptarët, e medet, "Beogradi do të frymojë shqip'! Pra, alarmoheshin për këtë 'degradim' kombëtar dhe vajtonin se "sa poshtë ka rënë Serbia' që po toleruaka shfaqje të shqiptarëve në Beograd.
"Çka nëse Teatri Kombëtar në Beograd do të frymonte shqip ca ditë, me 3-4 shfaqje nga Kosova?"
Ndërsa në një univers tjetër, normal, mbajtja e Javës së Teatrit të Kosovës në Beograd, në Teatrin Kombëtar, do të duhej të ishte gjëja më normale. Çka nëse Teatri Kombëtar në Beograd do të frymonte shqip ca ditë, me 3-4 shfaqje nga Kosova? Çfarë ka të keqe nga një gjuhë e shtetit fqinj? Pse gjithë ai alarm e mllef, pse gjithë ajo paranojë nacionale? Madje, vetë Teatri Kombëtar do të duhej të punonte dhe të këmbëngulte që ajo gjë të ndodhte.
Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur, jo për sa të kemi një Serbi të këtillë, që drejtohet nga një politikë e papërgjegjshme, antidemokratike dhe e cila ende projekton ëndrra hegjemoniste.
Të shtoj edhe se komunikata u është përcjellë edhe mediave në Kosovë e Shqipëri. Pra, ne kemi adresuar dhe ambientin kosovar, që po ashtu është i kontaminuar politikisht dhe pothuajse po aq i ngarkuar e obsesionuar me çfarëdo që ka të bëjë me serbët e Serbinë, dhe se nuk është se ka ndonjë entuziazëm për bashkëpunimin kulturor, përkundrazi, sikur të mundnin do ta ndalnin - por natyrisht nuk munden.
Duke përdorur diskursin ekzistues në Kosovë e në Serbi, ne kemi prekur një nerv te publiku, që duke i 'alarmuar rrejshëm' e nxit mendimin kritik, i emancipon eventualisht, mu siç bën teatri, që thuhet se e krijon 'historinë' në skenë para se ajo të ndodhë në realitet.
Ka, natyrisht, edhe shumë nivele e shtresa që dalin nga ky intervenim i yni artistik, por që mund t'i shpalosim në një rast tjetër, kur mund të kemi hapësirë më të gjerë.
Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni faktin që mediat e kanë publikuar komunikatën?
Jeton Neziraj: Komunikatën e kemi dërguar nëpërmjet kanaleve zyrtare të Qendrës Multimedia, përndryshe ajo nuk do t’i shërbente këtij procesi hulumtues dhe intervenimit që e kishim planifikuar. Prandaj, është krejt normale që edhe media të përgjegjshme e kredibile të bien pre e këtij intervenimi tonë artistik, dhe kjo nuk duhet të shihet si dobësi, përkundrazi, është krejt normale të merret e mirëqenë një komunikatë kur vjen nga institucione e njerëz kredibilë.
Radio Evropa e Lirë: Disa media që raportuan për lajmin, e fshinë atë, ndërsa të tjera deklaruan se po përhapni gënjeshtra, se keni publikuar citate të sajuara nga drejtori i Teatrit Kombëtar në Beograd, Svetisllav Gonciq, por askush nuk ka prova për këto pretendime në lajmet e tyre. A është i vetëdijshëm Gonciq që është pjesë e eksperimentit tuaj dhe nëse jo, a keni frikë nga një proces gjyqësor?
Jeton Neziraj: Së pari, unë nuk jam autor i komunikatës që u është përcjellë mediave. Unë jam njëri nga artistët e përfshirë në këtë projekt hulumtimi e intervenimi artistik.
Së dyti, nuk besoj që një artist do të mund të paditej për një vepër artistike. Se me atë rast, do ta përdorja argumentin e mikut të Serbisë, Peter Handke, që thotë se "gjithçka është letërsi".
E tërë kjo që është bërë me komunikatë është një performancë artistike - rrjedhimisht një vepër arti. Me një dallim që, Peter Handke e përdor letërsinë si mburojë për qëndrimet e tij fashiste, ndërkohë që ne, thjesht e kemi provokuar opinionin për një kauzë thellësisht demokratike, e që i shërben, në afatgjatë, pajtimit e paqes mes dy popujve tanë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë reagimesh të tjera keni hasur?
Jeton Neziraj: Kemi shënuar edhe plot komente entuziaste, të njerëzve që komunikatën e kanë besuar si të vërtetë dhe si diçka më se të mundshme, e të cilët i gëzohen avancimit të marrëdhënieve kulturore Kosovë - Serbi. Dhe, kjo ishte inkurajuese dhe tregon që masat nuk janë homogjene në vjelljen e vrerit nacional, por që ka edhe zëra të arsyeshëm që u ka ardhur në majë të hundës urrejtja e mosdurimi nacional. Këta janë [nga] shtresa të emancipuara, njerëz përparimtarë, të hapur dhe tolerantë, janë njerëz që eventualisht mund ta sjellin ndryshimin, nëse u jepet hapësira, nëse kanë hapësirë për të vepruar. Nuk janë pak, prandaj, ka shpresë.
Radio Evropa e Lirë: Sa larg në realitet janë Qendra Multimedia dhe Teatri Kombëtar i Beogradit për nga bashkëpunimi?
Jeton Neziraj: Shumë afër, por edhe shumë larg, në të njëjtën kohë. Ne, siç e dini, kemi luajtur e kemi bashkëpunuar me teatro të ndryshëm nga bota, duke përfshirë edhe Teatro della Pergola, që është Teatër Kombëtar i Italisë dhe njëri nga teatrot më të vjetët në Itali, kemi bashkëpunuar me teatrin Volksbühne nga Berlini, Teatrin Kombëtar të Sarajevës, La MaMa-n nga Nju Jorku, Piçolo Teatro di Milano, Théâtre Vidy-Lausanne e Volkstheater të Vjenës, ndër të tjera.
Pra, një grimë kredibiliteti artistik edhe e kemi. Megjithatë, kredibiliteti artistik nuk është kushti i një bashkëpunimi të mundshëm me Teatrin Kombëtar në Beograd.
Teatri Kombëtar në Beograd është institucion publik dhe, fatkeqësisht, është pjesë e politikave shtetërore të Serbisë, e të cilat, siç e dimë, janë kundër çdo bashkëpunimi me artistë e institucione kulturore nga Kosova - dhe këtë gjë e bënë të dukshme veçanërisht tani me ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”.
Por, përtej këtij qëndrimi zyrtar, është edhe arroganca, snobizmi legjendar e besa edhe një lloj racizmi kulturor i trashëguar i një pjese të elitës kulturore në Beograd, që më përpara do të mund ta imagjinonin prezencën e një alieni rrugëve të Beogradit, se sa një shfaqje në gjuhën shqipe në Teatrin Kombëtar në Beograd. /REL
Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: