Sqarohet Kuvendi: Listës Serbe s’do t’i humbiste mandati nga mospjesëmarrja në seancën e sotme

Kuvendi i Kosovës, përmes një sqarimi, ka thënë se seanca e sotme është caktuar nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e datës 24 qershor 2024, bazuar në vëllimin e materialit për shqyrtim.

Në sqarim thuhet se asnjë deputeti, duke përfshirë deputetët nga radhët e Listës Serbe, nuk do t'u humbiste mandati në rast të mosmbajtjes së seancës së sotme.

“Deputetët nga radhët e Listës Serbe herën e fundit ishin evidentuar si pjesëmarrës në seancë më 8 shkurt 2024. Rrjedhimisht të njëjtëve, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, nuk do t'u mbaronin mandatet deri në fillim të muajit gusht”.

“Për më tepër, konform njoftimeve paraprake, punimet për vendosjen e pajisjeve të reja në sallën e seancave pritet të përfundojnë gjatë pushimit midis dy sesioneve dhe për rrjedhojë, deri në përfundim të sesionit pranveror, seancat e Kuvendit do të mbahen në sallën 506”, thuhet në sqarimin e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se deputetë të opozitës kanë kritikuar Kuvendin se ka mbajtur seancën e sotme në një sallë alternative vetëm për t’ia zgjatur mandatin Listës Serbe, pasi do t’i kalonte sot po mos të mbahej kjo seancë. /Zëri