Kurti në Dragash pas vërshimeve: Qeveria do të jetë pranë jush

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot komunën e Dragashit, e cila u prek dje nga vërshimet e ujit, të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut.

Bashkë me Kurtin në vizitë ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ndërsa në takimin e zhvilluar me kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, kryeministri Kurti i falënderoi institucionet lokale për angazhimin e tyre dhe ofroi ndihmën e tij dhe të institucioneve qendrore në tejkalimin e rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara, për të cilat do të ketë vlerësim adekuat nga komisioni përkatës.

"Qeveria do të jetë pranë jush dhe pranë qytetarëve", u shpreh ai.

Tutje në komunikatën e dërguar nga Qeveria thuhet se kryetari Xheladini e njoftoi kryeministrin mbi situatën në terren dhe dëmtimet e evidentuara në infrastrukturë, për të cilat tha se ka nevojë për ndërhyrje urgjente dhe falënderoi atë për vizitën dhe ministrin Krasniqi për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.

Nga aty, bashkë u nisën për të vizituar zonat e prekura nga vërshimet e djeshme të shkaktuara nga reshjet e shiut. /Zëri