Banorët e Shipitullës protestojnë para KEK-ut e Qeverisë: “Krejt dhe drejt nuk është kryeministër”

Banorët e fshatit Shipitullë të Obiliqit kanë protestuar të enjten lidhur me shpronësimet e tokave të kryera për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Musli Mjeku, banor i fshatit Shipitullë, ka thënë se kërkesë e tyre është zgjidhja lidhur me këto shpronësime nga ana e KEK-ut.

Ai ka thënë se nga takimi i datës 24 maj janë premtuar se do të marrin përgjigje, por që kjo nuk ka ndodhur.

“Jemi detyruar me ardhë në këtë formë që nuk është dëshirë e jona. Prej vitit 2004 kur është votuar Ligji që në fshatin Shipitullë mos mu ndërtu asgjë, ne kemi mbetë të bllokuar e që atëherë ka familje që i ka katër, pesë fëmijë dhe ka qenë i detyruar të bëjë çmos dhe t’i largojë me qira ose diku tjetër. Nuk kanë lejuar të ndërtojnë… nuk jem duke e bërë me dëshirën tonë sepse ne e dimë që është interes i përgjithshëm dhe dimë qe KEK-u është i joni por ne si qytetarë të atij fshati kërkojmë një zgjidhje të cilën këta dinë që duhet ta bëjnë”, u shpreh ai, teksa pati edhe një pakënaqësi ndërmjet banorëve.

Një qytetar kërkoi që në këtë rast të mos përfshihet kryeministri Albin Kurti, pasi sipas tij fajtorë janë kryeministrat e tjerë.

Përfaqësuesi i fshatit Shipitullë, Arsim Mjeku, ka deklaruar se në rast refuzimi të takohet me përfaqësuesit e KEK-ut, do të hyjnë me dhunë në zyrë.

“Na kërkojmë prej KEK-ut me dal me u sqaru ose prej të hënës ne kem me ardh në katin e tret me hi qysh ju kem hyrë të tjerëve. Ne ka ardhë te hunda boll kemi duruar me paqe, me letra e këta s’po marrin vesh. Sot kemi ardhë 50 protestues, të hënën kemi me ardh 150, me gra e fëmijë me pleq me krejt”, u shpreh ai, raporton EO.

Pas mbajtjes së fjalimeve, banorët e këtyre fshatrave vazhduan deri te ndërtesa e Qeverisë, me ç’rast vendosën një baner me mbishkrimin “Krejt dhe drejt nuk është kryeministër”.