Qendrim Ramshaj publikon librin monografik “Kërpudhat e Kosovës”

Hulumtuesi i diversitetit të kërpudhave të Kosovës, Qendrim Ramshaj, ka njoftuar se ka publikuar librin monografik “Kërpudhat e Kosovës”.

Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin e tij social Facebook, ai ka thënë se në këtë monografi shpaloset një thesar i vërtetë i larmisë së kërpudhave që gjenden në territorin e Kosovës.

“Libri përfshin një gamë të gjerë kërpudhash, duke përfshirë ato të ngrënshme, lloje helmuese, dhe lloje që dëmtojnë drunjet e pyjeve tona të çmuara. Ky studim ofron një listë të gjerë të specieve makrofungale dhe një analizë të thelluar të shpërndarjes së tyre në vendin tonë, duke ofruar informacione të detajuara që ndihmojnë në njohjen dhe mbrojtjen e biodiversitetit të pasur të Kosovës”, shkroi Ramshaj në Facebook.

Sipas njoftimit, libri është recenzuar me kujdes dhe profesionalizëm nga profesor Mitko Karadelev nga Universiteti i Shkupit dhe profesor Fadil Millaku nga Universiteti i Prishtinës.

“Jam thellësisht mirënjohës për përkushtimin dhe ekspertizën e tyre të jashtëzakonshme”, përfundoi ai /Katror.info