Drejtori i Policisë dhe atasheu i Ambasadës së SHBA-së vizitojnë veriun

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm Fehmi Hoti dhe atasheun Kimberly Riffe, pranë Ambasadës Amerikane kanë vizituar të mërkurën veriun e vendit, gjegjësisht njësitet policore të Policisë Kufitare dhe ata të Rendit Publik në Jarinjë, Leposaviq, Bërnjak dhe në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në një komunikatë nga Policia, thuhet se drejtori Hoxha bisedoi me zyrtarët policorë, të cilët ishin në kryerje të detyrave, duke u interesuar për gjendjen e përgjithshme, sfidat, vështirësitë dhe realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore në atë pjesë të vendit.

“Ndër të tjera, në takimet me zyrtarët policorë, drejtori i përgëzoi ata për punën e angazhimin në kryerje të detyrave duke ofruar siguri për të gjithë pa dallime etnike dhe sundim të rendit e ligjit. Po ashtu, delegacioni nga Prishtina u prit edhe nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Policore Mitrovicë Veri Veton Elshani, i cili njoftoi eprorët e PK-së rreth gjendjes së përgjithshme të sigurisë në veri të vendit”, thuhet në komunikatë. /Zëri