Kurti: S’mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë

Pas takimeve në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar nga ndërmjetësit evropianë "garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve".

"Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë dhe këto vijnë përmes tri garancive të cilat i kam theksuar", tha Kurti për gazetarët, duke iu referuar tri pikave që Borrell i cilësoi si kushte të vendosura nga Kurti.

"Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes sjell sigurinë ligjore dhe juridike në njërën anë, dhe anulon shkeljet e mëhershme", tha Kurti.

Sipas tij, letra sikurse ajo që Bërnabiq i ka dërguar BE-së vitin e kaluar "janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazë".

"Ajo çfarë ne kemi bërë sot është se e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazë. Ajo është nën sulm nga mosnënshkrimi, nga letra e Bërnabiq dhe nga liria e Radoiçiqit, i cili përndryshe në Serbi vazhdon trajnimet për sulme të reja", pretendoi Kurti.

Sipas tij, nuk mund të ketë as normalizim, e as paqe në rajon pa dorëzimin e Radoiçit tek autoritetet e Kosovës.

Kurti po ashtu u pyet nëse mund të ketë Asociacion pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Marrëveshja Bazë e ka në qendër njohjen de facto, së paku. Çështja e Asociacionit është çështje e trashëguar. Mirëpo, ajo mund të adresohet në nenin 7 dhe 10 të Marrëveshjes Bazë, e cila është më e madhe, më e thellë dhe më e lartë se gjithçka që është bërë deri më tani. Dhe për këtë ne jemi shumë të lumtur dhe dëshirojmë ta zbatojmë”, tha Kurti.

Deri më tani, Kosova ka refuzuar që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin palët janë pajtuar më 2013, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët në Bruksel që nga shtatori i vitit të kaluar, takim që u mbajt disa ditë para se të ndodhte sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Sulmi, që u krye nga një grup i armatosur serbësh, la të vrarë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

I pyetur se pse nuk pati takim trepalësh, Kurti tha se që nga takimi i fundit "ka ndodhur shumëçka", duke përmendur edhe sulmin në Banjskë.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi për mediat në Bruksel se Kurti "nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë".

Vuçiq tha se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

“Ai nuk ka dashur të më takoj", tha Vuçiq kur u pyet nga gazetarët se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe "tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Rundi i dialogut në nivel të lartë - i pari gjatë këtij viti - u zhvillua në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.

Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë.

Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë - proces që ka nisur në Bruksel më 2011 - është i lidhur ngushtë po ashtu me rrugën evropiane të të dyja palëve.

Po ashtu, një prej arsyeve pse Kosova dhe Serbia duhet të jenë të kujdesshme në procesin e dialogut është edhe kushtëzimi i pagesave nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me përparimin në dialog. /Rel