Kërcënohet me jetë gazetari Vullnet Krasniqi, reagon AGK-ja
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është jashtëzakonisht i shqetësuar për kërcënimin me jetë që i është bërë gazetarit, Vullnet Krasniqi.
Krasniqi është kërcënuar me vrasje nga një qytetar i Luginës së Preshevës, nëpërmjet një videoje të publikuar në platformën TikTok, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Unë jam në Prishtinë, dhëmbët kam me t’i shkulë me dane, kam me ta q* f*miljen, këtu kam me ta rrasë plumbin...Ta di adresën ku e ke saktë, ta dish, të banesës, mos shko në katund, mos thirr polici...”, dëgjohet ndër të tjera duke thënë personi në video.
AGK-ja ka kontaktuar me gazetarin Krasniqi dhe i njëjti aktualisht është duke e raportuar kërcënimin në Policinë e Kosovës.
“Për AGK-në një kërcënim i tillë është jashtëzakonisht shqetësues, i papranueshëm dhe i bëjmë thirrje urgjente Policisë së Kosovës të marrë masat e duhura ta lokalizojë kërcënuesin e gazetarit Krasniqi.
Shqetësohemi për sigurinë fizike të Krasniqit, andaj ftojmë Policinë e Kosovës t’ia ofrojë mbrojtjen e duhur”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Zëri