Kurti tregon se çfarë pret nga takimi i nesërm në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti ka folur sot në lidhje me takimin e nesërm që do ta ketë në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti tha se nesër pret që takimi të jetë në funksion të rekapitullimit të gjithë asaj që është bërë gjatë këtyre tre vjetëve, raporton Zeri.info.

“Besoj që përveç të tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trelateral do të jetë në funksion të rekapitullimit të këtij procesi trevjeçar, të shohim se në çfarë gjendjeje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, tha Kurti para gazetarëve.

Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet, të paktën, me njohje de fakto, duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.

“Për bindjen time të fuqishme, marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale, aneksin e zbatimit të 18 marsit e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen së paku de fakto në qendër, andaj kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë. për shkak se para se të kemi zbatim, kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Bërnabiq nga 13 dhjetori i vitit të kaluar, ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja bazike dhe prej aty vinë problemet në raport me Serbinë”, tha Kurti.

Ai përmendi se dje janë bërë 9 muaj prejse është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe se kryeterroristi Milan Radoiçiq është akoma në liri, ndërsa përmendi edhe se nesër bëhet një vit nga lirimi i tre policëve të Kosovës, që Serbia i kishte kidnapuar në kufi. /Zëri